Ngjarje

Përplasja me armë mes shqiptarëve në Greqi, shkak larja e hesapeve për trafikun e drogës

Gazeta Si - Larja e hesapeve mes familjeve shqiptare që kishin krijuar një bandë dhe shisnin drogë në të gjithë Athinën, ka qenë arsyeja e përleshjes, e cila përfundoi me 3 shqiptarë të vdekur mbrëmjen e të shtunës.

Të vrarë mbetën Andon Dhimitraq Tefi , Armando Lamaj dhe Jani T., të tre me origjinë shqiptare.

Përplasjet për drogën mes grupeve kriminale me përbërje shqiptare në Greqi, sipas mediave vendase, nuk po kursejnë asgjë.

Hakmarrjet mes njëri-tjetrit, bëhen kudo, në rrugë, lokale, restorante, ashtu siç ndodhi dy ditë më parë, ku kryeqyteti grek u trondit nga ngjarja.

Policia tha se 48-vjeçari Andon Dhimitraq Tefi, i cili në Greqi përdorte emrin Adil Tefa, akuzohej nga grupi me të cilin u përplas, si përgjegjës për arrestimin e një prej anëtarëve të bandës, disa muaj më parë për çështje droge.

Viktimat e masakrës në Greqi, Armando Lamaj (majtas) dhe Andon Zefi

Andon Tefi dhe Armando Lamaj, kishin mosmarrëveshje me njëri-tjetrin pas arrestimit të fundit, ku më pas të dy u lanë të lirë. Ata u akuzuan nga prokuroria për shitje të kokainës, në Athinë, madje arrestimi i tyre u krye në flagrancë.

Por pas lirimit në fillim të qershorit, Armando Lamaj, dyshonte se Andon Tefi ishte “spiuni”, duke i dhënë informacione policisë.

Mëngjesin e së shtunës ata janë takuar për t'u sqaruar, duke lënë takim në mbrëmje. Lamaj bashkë me miq e familjarë të tij i kishin zënë pritë Tefit.

Ky i fundit mbërriti në takim me një “Mercedes-Benz”, ku ndodhej bashkë me një femër, ndërsa pala tjetër mbërriti me 2 automjete dhe 1 motor.

Tefi duke menduar se do kishte rënë në pritë për t’u rrahur ose vrarë, hapi zjarr i pari duke qëlluar drejtuesin e motorit, Armando Lamaj.

Sherri për ndarjen e klientelës

Autoritetet policore bëjnë me dije se bëhet fjalë për një larje hesapesh mes bandave  që janë aktive në trafikun e drogës dhe se familjet kanë qenë në mosmarrëveshje.

Dyshohet se mosmarrëveshja mes tyre, duket se ka qenë ndarja e klientelës pas goditjes së një grupi kriminal majin e kaluar.

Njëkohësisht po vijojnë hetimet për kapjen e pjesës më të madhe të anëtarëve të dy familjeve të përfshira në rastet e drogës.

Ndërsa për tre të vdekurit me origjinë shqiptare, mediat shkruajnë  se kanë qenë ‘kokat’ e trafikut të drogës.

Tefi, i vrarë nga policia gjatë përleshjes me armë, cilësohet si një bandit të pamëshirshëm, i aftë në përdorimin e armëve.

48-vjeçari i armatosur ka qenë i vendosur për gjithçka dhe sapo ka parë dy policët, ka nxjerrë armën dhe ka nisur të qëllojë drejt tyre.

Ai e zbrazi armën, duke i qëlluar me breshëri, ku plagosi njërin në këmbë dhe tjetrin në shpatullën dhe kofshën e djathtë.

Si nisi masakra me armë

Gjithçka nisi rreth orës 21 e 30 minuta të së shtunës, teksa sqarimi për mosmarrëveshjet mes anëtarëve të dy bandave shqiptare përfundoi në një masakër të vërtetë.

Adil Tefi ka qenë duke udhëtuar me një makinë tip “Mercedez Benz”, që drejtohej nga një grua 43-vjeçare, kur është ndalur nga një person që udhëtonte me një motor. I gjendur në pritë 48-vjeçari nxori armën dhe qëlloi në drejtim të tij. 

Në këtë moment, nga një makinë që shoqëronte motorin ka dalë një person tjetër dhe 48-vjeçari i është përgjigjur sërish me të shtëna armësh, duke vrarë një prej pasagjerëve që ndodheshin në këtë mjet.

Pas aktit ai ka tentuar të largohet nga vendngjarja, duke marrë nën kërcënimin e armës një makine tip “Toyota” nga një qytetar grek.

Ndërkohë, që gruaja 43-vjeçare ka tentuar të largohet me shpejtësi dhe duke marrë zvarrë 23-vjeçarin që ishte plagosur me armë zjarri.

Mediat greke shkruajnë se Tefi ka grabitur me armë një pikë karburanti dhe më pas një kafene.

Policia i ka bërë thirrje të dorëzohet, por ai ka qëlluar drejt tyre duke plagosur 2 prej tyre. Oficerët e policisë i janë kundërpërgjigjur zjarrit duke e qëlluar 48-vjeçarin për vdekje.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë