Futboll

Përplasen Barça dhe Junajtid, Juventus ka një takim me historinë

Pas spektaklit të ndeshjeve të së martës, Champions League vijon edhe të mërkurën me dy përballje të tjera për të mos u humbur. Juventus udhëton drejt Holandës në një përballje me historinë kundër harkëtarëve të Ajaksit që nxorën nga ky kompeticion Realin e Madridit. Ndërsa në “teatrin e ëndrrave” do të zhvillohet një finale e parakohshme me Mançester Junajtid dhe Barcelonën që sfidojë njëra tjetrën për një biletë gjysmëfinaleje.

Juventusi do të rikthehet edhe njëherë përballë ekipit kundër të cilit ka gëzuar për herë të fundit në Ligën e Kampionëve. Përballë Ajaksit, Juventus ka fituar trofeun e fundit në Champions në vitin 1996, por nga ai vit shumë gjëra kanë ndryshuar për të dyja klubet. Torinezët i kanë shkuar shumë pranë trofeut në vitet e fundit, por kanë dështuar në finale dhe këtë herë me Ronaldon në bord kërkojnë që ta rikthejnë trofeun “veshgjatë” në Itali, pas 9 vitesh. Por portugezi nuk është në formën e tij më të mirë dhe me holandezët mund të mos luaj që nga minuta e parë. Ajaksi me talentet e panumërt sërish premton surprizën dhe Juventus duhet të ketë shumë kujdes, për më tepër që nuk është me grupin e plotë në këtë sfidë të parë.

Ndërkohë në “Old Traford” Mançester Junajtid i Solskjaer do të ketë një tjetër provë shumë të vështirë në Champions me Barcelonën e Mesit. Katalanasit e kanë siguruar titullin në kampionatin spanjoll dhe tashmë mund të mendojnë më të qetë për Ligën e Kampionëve, një trofe që nuk e fitojnë prej tre vitesh, ku kanë dominuar rivalët e Real Madrid. Junajtid duket sikur e ka humbur ritmin e para disa javëve që nuk njihte humbje me Solskjaer në pankinë, dhe gjërat në kampionat nuk kanë shkuar siç duhet, por sfida me Barcelonën është një histori komplet ndryshe. “Djajtë e kuq” kërkojnë hakmarrjen ndaj Barcelonës për finalet që i ka marrë në dy raste edhe pse katalanasit deri në këto momente shikohen si rivalët kryesorë për të fituar trofeun në maj. Përballjet zhvillohen të dyja në të njëjtin orar duke nisur prej orës 21:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë