Moti

Përmirësohet situata në Lezhë dhe Kukës nga moti i keq. Lundrimi detar vijon të jetë i pezulluar!

Nga Gazeta ‘Si’-Gjatë orëve të fundit, moti në të gjithë vendin ka një përmirësim të dukshëm krahasuar me të shtunën( 4 nëntor). Sinoptikanët parashikojnë që gjatë pasdites të së dielës të ketë një shtim të reshjeve, kryesisht në veri të vendit.

Në pesë bashkitë e qarkut të Shkodrës nuk paraqiten situata problematike dhe në akset rrugore në veri të vendit.

Edhe në Lezhë nga strukturat e emergjencës civile nuk paraqiten probleme. Sakaq lundrimi detar në Shëngjin vijon të jetë i pezulluar, për shkak të detit të trazuar me dallgëzim deri në 7 ballë. Edhe në Vlorë dhe Durrës mbetet në fuqi vendimi për mos lundrimin e anijeve të vogla të peshkimit.

Mjetet lundruese do të qëndrojnë të ankoruara në port deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Në qarqet veriore mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Kuotat e lumenjve Drin dhe Mat kanë rritje, por për momentin nuk paraqitet ndonjë problematikë.

Ndërkohë ARRSH ka njoftuar se grupet e punës po ndërhyjnë për riparimin e cedimit të asfaltit, në pjesën fundore të Bypass-it të Klosit që lidhet me rrugën e vjetër Tiranë-Peshkopi.

Situata e krijuar një ditë më parë nga moti i keq në Kukës, ka nisur të përmirësohet. Mëngjesin e sotëm, rrugët nacionale janë të qarkullueshme dhe lëvizja e mjeteve ka nisur si normalisht.

Ndonëse ka patur rënie gurësh në disa segmente rruge, subjektet kontraktore kanë punuar për pastrimin dhe mbajtjen funksionale të tyre.

Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk ka raportime për ndonjë problematikë emergjente.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë