Futboll

Përmbyset minibusi i Alaniasporit në Turqi, ndërron jetë futbollisti çek

Një ngjarje e rëndë ka tronditur futbollin turk gjatë mbrëmjes së të dielës. Minibusi i ekipit të Alaniasporit në Superligën turke të futbollit është përplasur dhe për pasojë një futbollist ka ndërruar jetë. Bëhet fjalë për futbollistin çek, Jozef Shural, 28 vjeç, që nuk i mbijetoi dot plagëve të marra në aksident.

Minibusi i ekipit të Alaniasporit që u përmbys

Sipas asaj që shkruajnë mediet turke minibusi me futbollistët e Alaniasporit po kthehej nga transferta me Kajzerispor, ku barazoi në shifrat 1-1. Nga aksidenti i rëndë përveç Shural që ndërroi jetë në spital, kanë mbetur të lënduar edhe 6 futbollistë të tjerë të ekipit. Mësohet se të gjithë futbollistët dhe pjesëtarët e tjerë të stafit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën. Shural kishte kaluar në kampionatin truk me Alaniasporin vetëm në janarin e këtij viti dhe për të kjo kishte qenë aventura e parë jashtë vendit, ku në pjesën më të madhe të karrierës ka luajtur për Spartën e Pragës dhe Sllovan Liverec. Shural ishte sulmues dhe luajti vetëm në dy ndeshje me Alaniaspor, pa mundur dot të gjejë rrugën e rrjetës.

Jozef Shural dhe presidenti i Alaniasporit, Hasan Cavushoglu gjatë nënshkrimit të kontratës janarin e këtij viti

Ndërkohë sa i përket shkaqeve të aksidentit, ende nuk janë të bërë të qarta rrethanat dhe policia ka nisur hetimet. Presidenti i klubit të të Alaniasporit, Hasan Cavushoglu ka reaguar për këtë aksident të rëndë, duke bërë përgjegjës shoferin e mjetit, pasi dyshohet që ai të ketë qenë i përgjumur në momentin e përplasjes së minibusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë