Ngjarje

Përgjysmimi i autobusëve në Tiranë, qytetarët të acaruar: Të paktën të dimë oraret

Shoqata e Transportit Urban njoftoi krejt papritur dhe pa paralajmëruar se do të punojë me 50% të kapacitetit të autobusëve për shkak të një sërë problematikash dhe kërkesash që kanë bërë herë pas here tek Bashkia, por që vazhdojnë të mos marrin asnjë përgjigje, aq më pak zgjidhje.

Ato që po e “vuajnë” këtë situatë  janë vetë qytetarët e Tiranës.

“Kam që në shtatë të mëngjesit që po pres urbanin e Institutit e tani është ora 7:45 e nuk ka ardhur akoma”, tregon një vajzë që po pret në stacion në qendër.

Një tjetër e re thotë se është e njëjta situatë si dje edhe sot.

“Kam vënë re se Kamza ka më shumë urbanë se Instituti, por që janë plot. Dje në Terminal mbushej urbani plot dhe kishte njerëz që nuk hipnin dot pasi nuk kishte më vend. Ishte urbani i tejmbushur, njësoj si stacioni”, tregon Alketa, një vajzë rreth të 20-ave.

Në të gjitha stacionet që Gazetasi.al vëzhgoi, si dje ashtu edhe sot, kishte njerëz më shumë.

“Duhem në punë në orën 8:30. Dhe sikur të vijë urbani tani, jam vonë gjithsesi se ora është 8:15”, thotë një vajzë rreth të 30-ave që po pret urbanin e uzinës tek stacioni i dollarit në qendër.

Të tjerë flasin me njëri-tjetrin duke thënë se kjo situatë mes Bashkisë dhe qeverisë me Shoqatën e Transportit Urban po i acaron më shumë edhe sepse nuk dinë oraret.

“Të paktën të dinim oraret se nuk mund të dalim kështu si të humbur”, thotë një nga qytetarët që po pret në stacion.

Të tjerë shtojnë se nëse Shoqata e Transportit ka vendosur të përgjysmojë urbanët, duhet që të thotë se cilët do jenë oraret që do të lëvizin që dhe të mund të llogarisin kohën për çdo gjë.

“Është e tepërt që përveç se i përgjysmojnë pa na thënë gjë, mos të dimë as oraret kur do të nisen apo afërsisht kur kalojnë në çdo stacion”.

Qytetarë të tjerë tregojnë për Gazetasi.al se nuk arrijnë ta kuptojnë se si funksionon pjesa e përgjysmimit të urbanëve pasi më parë Tirana e Re për shembull, lëvizte çdo 15 minuta dhe ndërkohë që tani pretendohet të ketë çdo 30 minuta, urbani vonon shumë më shumë.

Ndërkohë Gazetasi.al ka komunikuar me përfaqësues të Shoqatës së Transportit urban rreth orareve dhe sa urbanë do të jenë saktësisht në qarkullim, por nuk e ka ende një përgjigje. Po ashtu edhe Bashkia e Tiranës të vetmin reagim e pati një ditë më parë, por nuk dha detaje se si do të marrë zgjidhje kjo situatë, ndërsa kryebashkiaku Veliaj ditë më parë na tregoi dhe promovoi flotën e re të urbanëve në kryeqytet disa ditë më parë, kur mendohej se edhe u zgjidh çështja e aboneve që krijoi një tjetër shqetësim gjatë muajve të verës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë