Kosova

Përfundon takimi në Ohër. Vuçiç: Me Kurtin kemi një lloj marrëveshjeje

Raundi i bisedimeve mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, ka përfunduar, bëri të ditur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nën ndërmjetësimin e BE-së, diskutuan në Ohër të Maqedonisë së Veriut për planin e zbatimit të propozimit evropian.

Pas përfundimit të këtij raundi bisedimesh, pritet që të ketë një deklaratë për media nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, është arritur “një lloj marrëveshjeje”.

Kurti dhe Vuçiq, për mbi 10 orë, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve evropianë, diskutuan për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh para fillimit të takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, se në Ohër ka ardhur për bisedime për të arritur marrëveshje.

Para takimit me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarin për dialogun Miroslav Lajçak, Kurti është takuar me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevcki.

“Unë jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit, për të gjithë qytetarët pa dallime, sepse unë jam kryeministër i Republikës i të gjithë qytetarëve”, tha Kurti. “Me këtë rast përveç se jam optimist kam ardhur me qëllim të mirë me vullnet të mirë dhe me mirëbesim që dakordimin e arritur më herët që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më datë 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se në Ohër do të bisedohet për planin e zbatimit, pasi nuk ka tekst të përfunduar.

“Përderisa nuk ka tekst të përfunduar nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të këtë marrëveshje. Unë jam këtu për dialog parimor të hapur serioz që duhet të rezultojë me marrëveshjen. Marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Pra, nuk kam ardhur për bisedime për bisedime por për bisedime për marrëveshje”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç mbajnë sot në Ohër të Maqedonisë Veriore takimin e radhës në kuadër të dialogut.

Borrell tha një ditë më herët se ka pranuar komentet e palëve në lidhje me aneksin e zbatimit të propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

“Shpresoj se Kosova dhe Serbia do të mund të bien dakord për rezultatin përfundimtar të këtyre bisedimeve”, tha Borrell më 17 mars, pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Maqedonisë së Veriut në Shkup.

Kurti dhe Vuçiç e kanë pranuar në parim propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.

Propozimi i BE-së nuk e detyron Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat e makinave. Po ashtu, kërkon nga të dyja vendet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, si dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë