Ne rrjet

Perëndimi është armiku i vetvetes

Nga Angelo Panebianco- A do të ketë paqe? Ndoshta po. Pikëpyetja në këtë rast është një domosdoshmëri. Por kjo mund të jetë domethënia e takimit në San Francisko mes Joe Biden dhe Xi Jinping. Ndoshta, për shkak të vështirësive të saj të brendshme, sfiduesja (Kina), fuqia në rritje që synon të ripërcaktojë ekuilibrat ndërkombëtarë në avantazhin e saj, nuk ka tani asnjë interes të ngulë thikën në trupin e të sfiduarit (Shtetet e Bashkuara), fuqia hegjemonike globale në rënie, e cila po përpiqet të shpëtojë atë që mund të shpëtohet nga statuskuo-ja ndërkombëtare. Ndoshta kinezët llogaritin që nëse është e vërtetë që kundërshtari është i plagosur dhe po humbet shumë gjak, është gjithashtu e vërtetë se ai është ende mjaftueshëm i fortë për të paraqitur një rrezik për të.

Ose ndoshta ata llogaritin se duhet ende pak kohë, përpara se të ndodhë e pashmangshmja, pra përpara se hegjemonia amerikane të bjerë plotësisht, dhe se për momentin është ende shumë e rrezikshme të përpiqesh ta vendosësh SHBA-në me shpatulla pas murit.

Ndoshta në këtë fazë Kina është e interesuar të përfitojë disa lëshime ekonomike nga qeveria amerikane, duke ofruar në këmbim një angazhim kundër përhapjes së konflikteve në vatrat më të nxehta (Ukrainë, Lindjen e Mesme) në të cilat është e përfshirë edhe Amerika.

Por askush nuk mund ta gënjejë veten se kjo parathotë një lloj pikë kthese. Kina nuk e ndihmoi Perëndimin duke i bërë presion aleates së saj, Rusisë për ta ndaluar pushtimin e Ukrainës. Me sa duket, Pekini nuk do ta ndihmojë Uashingtonin as në Lindjen e Mesme.

Natyrisht të gjitha këto janë supozime. Në fakt ekziston një asimetri midis sfiduesit dhe të sfiduarit. E sfiduara në rastin konkret, demokracia dhe proceset e saj vendimmarrëse, janë mjaft transparente: qeveria jep llogari para votuesve. Nga ana tjetër, sfiduesi është një regjim despotik dhe politika e tij vendoset fshehurazi nga Xi Jinping dhe grupi i tij i bashkëpunëtorëve.

Për shembull, askush nuk e di nëse dhe kur Kina do të vendosë se ka ardhur koha të rimarrë me forcë Tajvanin. Ata që mendojnë se Kina është tashmë më pak e guximshme në nivel ndërkombëtar për shkak të krizës së brendshme ekonomike, gënjejnë veten.

Në një kohë kur udhëheqja kineze po përpiqet të qetësojë qytetarët kinezë për të ardhmen e tyre ekonomike, ruajtja e stabilitetit politik, pëlqimi i subjekteve dhe ruajtja e partisë-shtet, kërkojnë një rritje të retorikës nacionaliste.

Dhe kjo e fundit gjeneron agresion ndërkombëtar. Një Kinë që dobësohet ekonomikisht mund të bëhet shumë e rrezikshme për stabilitetin ndërkombëtar. Por, tek e fundit, gjithçka varet nga ajo që kalon në mendjen e një grushti njerëzish që kontrollojnë fatin e saj.

Në këtë periudhë janë të shumta krahasimet me Luftën e Ftohtë. Por ato janë gabuara. Edhe sepse në dallim nga Bashkimi Sovjetik i dikurshëm, Kina është një pjesë integrale e sistemit ekonomik ndërkombëtar. Së dyti, sepse sot nuk ka asgjë të ngjashme me blloqet e ngurtë (të çimentuar nga ideologjia) të epokës së bipolarizmit SHBA/BRSS.

Ngurtësia e sistemit ndërkombëtar të kohës i lejoi superfuqitë (por pasi kishin kapërcyer momentet e tensionit akut, nga Berlini deri tek Kriza e Raketave Kubane) të vendosnin disa rregulla bashkëjetese. Sot, marrëdhëniet ndërkombëtare janë shumë më fluide, aleancat janë më pak solide se në të kaluarën, ndaj është e vështirë, në mos e pamundur, për dy fuqitë më të mëdha që të përcaktojnë (dhe respektojnë) një pakt bashkëjetese në terma afatgjatë.

Duke lënë mënjanë vështirësitë ekonomike, sfiduesi (Kina) nuk po udhëheq aktualisht një grumbullim solid shtetesh që e njohin pa kushte lidershipin e saj. Investimet e saj në të gjitha kontinentet i kanë siguruar miqësi dhe ndikim politik, por Rruga e Mëndafshit (një lak rreth qafës për vendet e mbytura në borxhe) ngjall shumë mosbesim.

Ajo aspiron që të udhëheqë të ashtuquajturin “Jug Global”, por heterogjeniteti i Jugut të lartpërmendur nuk garanton që aspirata mund të përkthehet në një udhëheqje të qëndrueshme. Ajo mund të mbështetet tek një aleancë me një fuqi të madhe të gjymtuar dhe në rënie, siç është Rusia e Putinit.

Po ashtu ka disa shtete vasale (Koreja e Veriut), dhe lidhjet me Iranin. Thuhet se ajo mban kryesimin e BRICS, por kjo është vetëm pjesërisht e vërtetë. Pjesë e kësaj organizate është edhe India, që nuk është aleate e Kinës, përkundrazi është një konkurrente (shumë e respektuar) në Indo-Paqësor dhe gjetkë.

Pra ëndrra për t'i eliminuar demokracitë perëndimore "dekadente" dhe për të krijuar, mbi hirin e hegjemonisë amerikane, një sistem ndërkombëtar të udhëhequr nga Kina, duhet të përballet me shumë pengesa të fuqishme. Ndoshta kjo është arsyeja e interesit të Xi Jinping për një shtensionimit të raporteve me Shtetet e Bashkuara.

Mbetet të kuptohet nëse llogaritja "realiste" e ekuilibrit ndërkombëtar të fuqisë nga liderët kinezë, pajtohet me nevojën për të ruajtur konsensusin e brendshëm të ushqyer nga një retorikë nacionaliste e ashpër.

Në letër, Perëndimi ka ende shumë burime për t'i përdorur në funksion të kundërshtimit të  presionin për ta ndryshuar statuskuonë ndërkombëtare aktuale në disavantazhin e tij. Por kjo vetëm në letër. Sepse sot kjo botë është e brishtë (fuqitë autoritare po përqendrohen tek kjo brishtësi e dukshme).

Shoqëria perëndimore po përballet aktualisht me urrejtjen ndaj vetvetes, me refuzimin e asaj që e karakterizon më së shumti, pra të demokracisë liberale, e cila është rritur brenda saj. Ekziston një rrezik serioz që Donald Trump të fitojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA.

Nëse kjo ndodh, ndikimi në botën perëndimore në tërësi do të ishte shkatërrues. Ndërkohë po shohim një antisemitizëm të shfrenuar. Në të gjithë Perëndimin ka universitete prestigjioze, në të cilat edukohen klasat sunduese, dhe ku pakica të zëshme i janë përkushtuar kauzave anti-perëndimore.

Po ashtu, ekzistojnë rryma të rëndësishme të opinionit pro-Putinian. Mendoni pak se si do të ndryshonte ekuilibri evropian në rastin e një suksesi të madh zgjedhor nga Alternative für Deutschland, e djathta ekstreme gjermane. Apo nga forca e ekstremit të djathtë dhe ekstremit të majtë në Francë.

Herët a vonë, NATO, Bashkimi Evropian, shtyllat ku mbështetet shoqëria perëndimore, mund të dobësohen seriozisht. Më pak fjalë, ajo që duhet t’i frikësohet më shumë bota perëndimore është dëshira për vetëvrasje kolektive, politike dhe kulturore të disa komponentëve të saj përkatës. Basti i udhëheqësve autokratëve është që kjo dëshirë të shndërrohet në një forcë të parezistueshme.

Burimi: Corriere della Sera. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë