Shendet

Përdorimi i telefonit po ndikon tek fertiliteti mashkullor

Numri i spermatozoideve tek meshkujt ka rënë me më shumë se 50% globalisht në 50 vitet e fundit, çka ka shtyrë studiuesit të shohin se cilat janë arsyet për këtë.

A mund të jetë ndotja, PFAS dhe toksina të tjera të mundshme në ushqimin dhe ujin tonë, sëmundjet kronike, apo edhe telefoni celular që është gjithmonë i pranishëm?

Një studim i ri hulumtoi rolin e telefonave celularë dhe zbuloi se meshkujt midis moshës 18 dhe 22 vjeç, të cilët thanë se përdornin telefonat e tyre më shumë se 20 herë në ditë, kishin një rrezik 21% më të lartë për një numër të ulët të përgjithshëm të spermatozoidëve. Burrat gjithashtu kishin një rrezik 30% më të lartë për një përqendrim të ulët të spermatozoideve.

“Jam i habitur pasi nga vëzhgimi kuptuam se efekti më i madh u pa me personat që përdornin telefonat me 2G dhe 3G krahasuar me versionet moderne 4G dhe 5G. Këtë nuk arrij ta shpjegoj”, tha në një deklaratë Allan Pacey, zëvendës dekan i fakultetit të biologjisë, mjekësisë dhe shëndetit në Universitetin e Mançesterit në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ndërsa numri i spermatozoideve ka rëndësi, aftësia e tyre për të notuar, për të pasur ADN të shëndetshme të paprekur dhe për të qenë forma e duhur, është po aq e rëndësishme”, thotë Alison Campbell, shefe shkencore e Care Fertility, një rrjet klinikash të fertilitetit.

"Ky është një studim interesant dhe i ri që duhet të jenë në dijeni burrat, sidomos ato që presin të bëhen prindër. Duhet të ushtrojnë, të ushqehen shëndetshëm të shmangin duhanin, alkoolin dhe tashmë edhe nga telefoni”.

Telefonat celularë janë bërë pjesë e pazëvendësueshme e jetës sonë. Megjithatë, telefonat celularë lëshojnë fusha elektromagnetike me radiofrekuencë të nivelit të ulët. Nëse këta telefona celularë emetojnë me fuqinë maksimale, shkruhet në studim, indet përreth mund të nxehen deri në 0.5 gradë Celsius.

“Telefonat celularë janë vazhdimisht duke dërguar dhe marrë sinjale dhe ata do të marrin dhe dërgojnë sinjale më intensive kur janë në përdorim”, thotë Alexander Pastuszak, profesor i kirurgjisë dhe urologjisë në Universitetin e Utah School of Medicine.

Sipas Departamentit të Shëndetit Publik të Kalifornisë, fushat elektromagnetike të radiofrekuencës zvogëlohen shumë kur dërgoni mesazhe dhe janë më të lartat kur shkarkoni programe, transmetoni audio ose video.

Agjencia rekomandon mbajtjen e telefonit larg trupit dhe kokës dhe të përdorni altoparlantin ose kufjet si dhe mbani telefonin në një çantë kur po ecni.

Megjithatë, nëse kjo mund të dëmtojnë fertilitetin mashkullor, ka qenë një burim polemikash dhe debatesh për vite me radhë në komunitetin shkencor.

Studimet në minj kanë gjetur se fushat RF-EMF në nivele të ngjashme me telefonat celularë ulin fertilitetin mashkullor.

Megjithatë, studimet e tjera kanë arritur në përfundimin se ka dallime të mëdha midis njerëzve dhe minjve në mënyrën se si krijohet sperma.

Studimet vëzhguese te njerëzit kanë zbuluar gjithashtu se përdorimi i shpeshtë i telefonave celularë lidhej me një rënie të qëndrueshmërisë së spermatozoideve por këto studime kanë qenë të vogla.

“Jam pyetur shumë herë gjatë dekadës së fundit nëse ka ndonjë lidhje midis telefonave celularë dhe fertilitetit mashkullor. Megjithatë, nuk kam qenë kryesisht i bindur nga të dhënat që janë publikuar deri më sot”, tha Pacey.

Gjithsesi, studiuesit thonë se është cilësia e spermës ajo që ka rëndësi.

“Nëse keni spermë cilësore, ka një shans të mirë apo edhe të madh që të keni një fëmijë, edhe nëse keni pak spermatozoide”.

Burimi: CNN. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë