Futboll

Përballja që vendos kampionatin, Junajtid pret Sitin në “Teatrin e ëndrrave”

Ndoshta për tifozët e Mançester Junajtid ky moment nuk duhej të kishte ardhur kurrë. Nëse “djajtë e kuq” fitojnë, me shumë gjasa titulli kampion shkon në Liverpul pas gati tre dekadash dhe në rast të një humbje, do të festojnë titullin e dytë radhazi rivalët e përjetshëm të Sitit. Është një ndeshje që cakton fatin e këtij kampionati dhe jo vetëm për vendin e parë, por edhe për ekipet që do të luajnë në Champions League.

Mançester Junajtid, me largimin nga Champions dhe humbjet në kampionat është futur në një minikrizë. Nën drejtimin e Solskjaer kjo është kriza e parë që prek “djajtë e kuq” dhe ka ardhur në momentin më të papërshtatshëm. Tekniku norvegjez ka thënë se përtej rezultateve negative që ka marrë në ndeshjet e fundit, ai ka besim tek ekipi i tij se mund të dalë me një rezultat pozitiv, pa marrë shumë para sysh se çfarë mund të ndodhë me çështjen e titullit kampion. Një fitore në shtëpi për Junajtid do të ishte një hap i sigurt drejt zonës Champions, pasi për djajtë përmes kampionatit është rruga e vetme që mund t’i çojë ata në këtë kompeticion sezonin e ardhshëm.

Për Mançester Sitin diskutimi është pak më i ndryshëm. Nuk bëhet fjalë për krizë, por më shumë një shok që u pësua nga eliminimi në Ligën e Kampionëve. Premier Ligë është i vetmi trofe që mund të shpëtojë sezonin e Guardiolës që shpenzoi qindra milionë euro verën e shkuar për të përforcuar ekipin e tij. Edhe tekniku spanjoll tha se ndeshja është e paparashikueshme dhe se i ka të treja rezultatet brenda. "Është një derbi dhe të gjitha ndeshjet që kemi luajtur kundër Junajtid janë lojëra të veçanta dhe lojtarët gjithmonë kërkojnë bëjnë më të mirën".- tha Guardiola në konferencën para ndeshjes.

Ndeshja kryesore e kësaj jave në Premier Ligë do të luhet në “Old Traford” duke filluar prej orës 21:00 dhe pritet të mbërthejë para ekranit miliona shikues si evenimenti më i madh futbollistik i javës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë