Kosova

Përballja Kurti-Vuçiç në seancën e jashtëzakonshme për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB

Nga Gazeta 'Si'- Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të jetë në New York sot(8 shkurt) ku edhe do të mbajë një fjalim në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për situatën në Kosovë.

Serbia i ka dërguar të hënën misionit të Guajanës që kryeson Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kërkesë për mbajtjen e një sesioni të jashtëzakonshëm me fokus situatën në Kosovë.  Në kërkesën e Serbisë theksohet se situata aktuale është në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.

Në Këshillin e Sigurimit do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti sëbashku me ministren e jashtme Donika Gërvalla.

Mbyllja e komunave paralele dhe heqja e dinarit nga përdorimi janë çështjet për të cilat ndërkombëtarët kanë kritika dhe do të diskutohen sot.

Në kërkesën e dorëzuar, Serbia e përshkruan vendimin e Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit serb për pagesa, si vendim të jashtëligjshëm, duke vlerësuar se ai është “vazhdimësi e masave të dhunës brutale fizike dhe institucionale ndaj serbëve”, dhe sipas Beogradit, qëllimi është “spastrimi etnik dhe zhdukja e popullatës serbe”.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian Peter Stano tha se BE po i sheh si veprime të njëanshme hapat e fundit të ndërmarra nga Kosova dhe deklaroi se ajo rrezikon të mbetet jashtë dhe të mbetet prapa në rrugën drejt integrimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë