Futboll

Përballja e surprizave, Ajaks dhe Totenham për një biletë finalisti

Në stadiumin më të ri dhe të shtrenjtë në botë luhet akti i parë i gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve. Ajaksi i mrekullueshëm me talentet dhe lojën e bukur udhëton drejt Londrës kundë Totenhamit cinik dhe të rrezikshëm të Mauricio Poketinos. Një përballje që nuk duhet humbur, pasi sido që të shkojë rezultati, spektakli dhe loja e bukur janë të garantuara.

Ajaksi që këtë sezon i ka befasuar të gjithë me lojën e treguar, por mbi të gjitha duke eliminuar Realin dhe Juventusin kërkon që t’i shkojë këtij kompeticioni deri në fund. De Jong, De Lajt, Taliafiko, Neres dhe të tjerët me shumë siguri do e lënë Amsterdamin në merkaton e verës për në një kampionat më të fortë. Por të gjithë këta talente pasi arritën kaq larg nuk do të pranonin lehtë që të largohen pa lenë gjurmë. Harkëtarët janë në kërkim të titullit numër 5 në Ligën e Kampionëve që do e ngjisnin Ajaksin në podiumin e ekipeve që e kanë fituar më shumë këtë kompeticion. Deri më tani nuk raportohet për mungesa të rëndësishme në formacionin e Ajaksit dhe ekipi holandez do të zbresë në fushën e lojës me formacionin e tij më të mirë.

Surprizë më e madhe e sezonit në Uefa Champions League është arritja e Totenhamit në gjysmëfinale. Ekipi londinez kaloi me shumë mundim fazën e grupeve, ku përfitoi nga gabimi i Interit dhe tashmë e shikon vetën në gjysmëfinale të Champions League për herë të parë në historinë e tij. Kalimi deri në këtë fazë nuk ishte i lehtë për “gjelat londinez”, pasi iu desh që të largonte Dortmundin dhe kryesuesit e Premier Ligës, Mançester Sitin. Por Totenhami i Poketinos është një ekip që ka treguar se karakteristikën e tij themelore ka qëndresën dhe guximin për t’i shkuar deri në fund sahanëve të veta. Totenham nuk do të ketë as në ndeshjet me Ajaksin sulmuesin e saj kryesor, Herri Kejn, i cili do të ishte i gatshëm për të zbritur në fushë vetëm nëse londinezët kualifikohen për në finalen e Madridit.

Kjo do të jetë ndeshja e parë mes këtyre dy ekipeve në Ligën e Kampionëve dhe do të luhet duke filluar prej orës 21:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë