Vijojnë rezultatet negative të ekipeve kombëtare edhe të moshave. Përfaqësuesja U-17 është ajo që bën ndeshjen tjetër turpruese për fanellën kuqezi. Djemtë e drejtuar nga trajneri Xhemal Mustedanagiç janë mposhtur në shifrat 6-0 nga Çekia.
Ndeshja e zhvilluar në “Elbasan Arena” nuk kishte shumë histori, me 17-vjeçarët shqiptarë që u dorëzuan që në minutat e para. Çekët tregohen superiorë në çdo aspekt, duke mos i lënë asnjë mundësi futbollistëve kuqezinj. Në çdo 10 minuta futbollistët nga Çekia dukej sikur kishin rezervuar nga një gol kundër skuadrës sonë, që luante pa asnjë lloj motivi. Pjesa e parë e ndeshjes do të mbyllej me rezultatin e thellë 4-0.
Në 45’ minutat e dyta, loja është pak më e ekuilibruar për shkak se çekët ulin tempin, por edhe se Shqipëria luan disi më e organizuar. Gjithsesi nuk do të vononte shumë edhe goli i pestë, që ktheu në goleadë turpi këtë ndeshje për skuadrën tonë. Por për të kompletuar këtë turpërimin në “Elbasan Arena” do duhej të vinte minuta e 88-të, kur çekët shënuan edhe golin e gjashtë. Shqipëria provoi gjatë pjesës së dytë për të shënuar të paktën një gol nderi, por pa mundur do t’ia dalë mbanë.
Kjo disfatë e thellë që në ndeshjen e parë është disi zhgënjyese për ekipin kuqezi, duke pasur parasysh që në krye të pankinës është Xhemal Mustedanagiç. Tekniku boshnjak prej disa muajsh ka marrë pozicionin e drejtorit të talenteve në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe prej tij pritet shumë. Kjo ishte ndeshja e parë kualifikuese për kombëtaren tonë për në kampionatin europian. 17-vjeçarët kuqezinj bëjnë pjesë në Grupin 8, së bashku me Norvegjinë, Azerbajxhanin dhe Çekinë, ku shanset për kalimin në raundin tjetër janë minimale.
Formacionet zyrtare të të dyja skuadrave:
Shqipëria: Ceka, Shehu, Zaimi, Smajlaj, Doda, Arapi, Stafa, Mitaj, Kuqi, Memushaj, Cahani
Çekia: Stejskal, Helebrand, Kurka, Hajek, Kronik, Vojatshke, Svoboba, Hlzek, Steri, Kozeluh, Vorlshki
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.