Ushqim

Për herë të parë, në Shkodër do të mbahet eventi ndërkombëtar i ushqimit dhe verës

Nga e enjtja 14 korrik deri të dielën 17 për herë të parë në Shkodër do të mbahet eventi i parë ndërkombëtar i ushqimit dhe verës.
Eventi Ndërkombëtar i Ushqimit në Shkodër i organizuar me kërkesë të kryetarit të qytetit, Bardh Spahia, do të mbahet nga e enjtja 14 korrik deri të dielën 17, në bashkëpunim me shefin e kuzhinës italiane Carlo Zarri.

Carlo Zarri, kuzhinier dhe pronar i Villa San Carlo, një restorant i vogël në provincën e Cuneos, në Cortemilia, ka përvojë në organizimin e eventeve të tilla siç është edhe EXPO Milano 2015 dhe ka përvojë pune me ikona si Sophia Loren, Giorgio Armani dhe Ferrari për të përmendur vetëm disa.
“Mendova se Bardhi po bënte shaka, thotë Carlo Zarri, kur më kërkoi ta ndihmoja për të organizuar një event që mund të bënte të njohur trashëgiminë e pasur gastronomike të Shkodrës dhe Shqipërisë. Pastaj një ditë më ftoi të vizitoja qytetin e tij (Milanon e Shqipërisë) dhe kuptova se kishte synime serioze. Filluam menjëherë punën. Shkuam në restorantë, takuam hotelierë, shefa kuzhine dhe prodhues vendas artizanë e bujqësorë dhe krijuam festivalin e parë të ushqimit në Shqipëri. Entuziazmi dhe disponueshmëria e operatorëve e bëri gjithçka shumë të lehtë”.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Bardh Spahia, i cili jo më shumë se një vit më parë kishte vizituar Langhe me gjithë familjen e tij, konfirmon se “Kam pasur rastin ta njoh mirë Carlon në EXPO Milano 2015. Biseduam dhe menjëherë mendova për eksperiencën e tij për të organizuar një event që mund të na jepte një ndihmë për të bërë të njohur sektorin tonë gastronomik. Operatorët tanë kanë qenë entuziastë për propozimin e Zarri dhe i janë bashkuar shumë që në takimin e parë. Jemi të sigurt që tashmë këtë vit do të jetë një ngjarje e suksesshme me një jehonë të fortë ndërkombëtare, veçanërisht në Itali nga ku tashmë kemi shumë turistë që vijnë”.

Koordinatorët e projektit në terren theksojnë se aktiviteti është i fokusuar në rritjen e gastronomisë sonë në nivele të ndryshme. 
"Nga njëra anë, ne do të shpërblejmë kuzhinierët, restorantet, hotelierët dhe operatorët që janë dalluar më shumë për profesionalizmin e tyre dhe për rritjen e thesareve tona. Për këtë qëllim do të organizojmë një konferencë për shtyp e ndjekur nga një darkë gala me një menu tipike të rajonit tonë. Jemi shumë të kënaqur që shumë autoritete ndërkombëtare, ambasadorë dhe gazetarë kanë konfirmuar tashmë praninë e tyre. Më pas do të shkojmë të përurojmë ekspozitën/tregun e produkteve tipike dhe do të organizojmë një turne edukativ për gazetarët ndërkombëtarë të pranishëm. Në këtë drejtim falenderojmë gazetarët italianë që pranuan ftesën për të marrë pjesë".

"Gjatë vizitës në Shkodër kam pasur mundësinë të njoh shumë të rinj kuzhinierë goxha të talentuar. Më bëhet qefi që shumë prej tyre kanë punuar ose janë shkolluar në Itali dhe e njohin më së miri kuzhinen italiane", thotë Zarri.

Edoardo Raspelli, gastronom italian shton se se i intereson Shodra dhe Shqipëria, ku 90% e popullsisë flet edhe italisht. 
"Unë jo vetëm që kam kujtesën për historinë e kaluar, të lidhur me fashizmin dhe pushtimet e luftës, por edhe kam ndjekur suksesin e merituar të dy djemve, që mbërritën me varka në Pulia dhe që në Italinë e Veriut kanë pasur sukses duke treguar kuzhinën e detit dhe në veçanti atë të zonës që i priti. I referohem atyre dy gurëve të çmuar që janë, në Liguria, Shpëtim Xhakosi, i quajtur Timi, i ardhur në vitin 1991 dhe në Grumello del Monte (Bergamo) Gëzim Prekaj, i cili mbërriti në Itali në vitin 1997.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë