Kombetarja

Për herë të dytë në Europian, Berisha: Më bukur këtë herë, kemi lojtarë që bëjnë diferencën

Gazeta Si – Portieri Etrit Berisha është nga ata që shkojnë për herë të dytë në Europian, ashtu si Hysaj, Cikalleshi dhe ndonjë tjetër. Portieri keqezi, një nga më të mirët ndaj Moldavisë, me disa pritje vendimtare, ka theksuar se ky sukses është më i bukur se ai i 2016-ës.

“Një ndjenjë fantastike, kemi bërë një rrugëtim shumë të gjatë dhe të mundimshëm. Mirëpo ia ka vlejtur gjithçka. I uroj gjithë çunat dhe gjithë shqiptarët se me të vërtetë kemi bërë një gjë fantastike. A e kisha menduar një tjetër Europian? Me siguri që po. Gjithmonë ambiciet tona kanë qenë që të kualifikohemi.

Kemi pasur një grup fantastik. Tani na kanë ecur shumë mirë dhe do të mundohemi të mbajmë maksimumin. Rrugëtimi ynë vetëm sa ka filluar dhe duhet të mendojmë për Europianin”, - u shpreh Berisha.

Portieri ka bërë edhe një krahasim me 2016-ën: “Kualifikimi i parë në Europian ka qenë më i vështirë, pasi kishim disa ekipe shumë të vështira dhe për të shënuar gol ishte shumë më e mundimshme. Tani ishte më e thjeshtë, pasi kishim disa lojtarë që individualisht bëjnë diferencën Pastaj ekipi mori zemër edhe më shumë dhe ishte disi më e thjeshtë, duke e siguruar kualifikimin një ndeshje para fundit. Kjo do të thotë që ishte më bukur”.

Cili është sekreti i kësaj skuadre? Berisha përgjigjet: “Sekreti mbi të gjitha është grupi. Kemi një grup që ka besuar shumë dhe kemi individë dhe lojtarë cilësorë. Patjetër kemi edhe një trajner që ka ditur ta menaxhojë shumë mirë grupin. Çdo lojtar ndihet i rëndësishëm. Çdo lojtar që futet në lojë është i sigurt për të bërë diferencën. Kur kemi qenë në vështirësi, ata që kanë hyrë kanë ndryshuar edhe rezultatin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë