Kosova

Për 10 muaj 24 vetëvrasje në Kosovë, mjekët: Numri mund të rritet nga pandemia

Nga muaji janar deri në tetor të këtij viti sipas të dhënave të Policisë së Kosovës janë shënuar 24 vetëvrasje, ndërsa 83 të tjerë kanë tentuar të bëjnë një akt të tillë.

Neuropsikiatri Sami Rexhepi, në një intervistë për Ekonomia Online ka paralajmëruar rritje të numrit të vetëvrasjeve edhe si shkak i pandemisë.

“Mirëpo çka pas pandemisë? Kur të fillon me u qetësuar pandemia, ne do t’i shohim problemet të cilat pandemia na i ka shkaktuar në aspektin e shëndetit mendor. Duhet thjeshtë të përgatitemi për një valë mjaft të madhe të problemeve të personave me probleme sa i përket shëndetit mendor. Edhe për shkak të natyrës, zgjatjes së pandemisë pres me pas edhe çrregullime pas stresit traumatik të cilat marrin një karakter kronik më vonë e që do të manifestohet një kohë shumë më të gjatë”, nënvizoi Rexhepi.

“Mundet me u rrit edhe numri i vetëvrasjeve, realisht mundet me u prit për shkak se përveç rrezikut të ekzistencës biologjike, izolimi, humbja e vendeve të punës kur të kalon pandemia dhe e shohim se një numër i madh i prindërve kanë humbur vendet e punës. Nuk munden me ofruar atë çka kërkohet prej tyre si prind, nuk shohin një perspektivë për të ardhmen. Jo vetëm punëtorët që kanë humbur vendet e punës por ka edhe shumë persona që kanë humbur bizneset ku kanë pasur investime një kohë më të gjatë. Krejt këto do të manifestohen me probleme në shëndetin mendor e që nuk është e papritur me u rrit edhe numri i vetëvrasjeve”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë