Ana e errët

“Pepaj e Cutaj u vranë nga pas shpine…” Rrëfimi ekskluziv i Olsonit që zbardhi ekzekutimin e të rinjve në Malësi të Madhe

“Viktimat Klement Pepaj dhe Vilson Cutaj janë qëlluar nga pas shpine. Në vendin ku ata u gjetën kishte dy parcela droge. Në njërën kishte 29 rrënjë bimë narkotike të mbjella, të rritura nga një deri në 1.5 metra, ndërsa tjetra ishte vetëm me gropa me dy mjedise pushimi dhe me vend tharjeje të improvizuar të bimëve në dru”. Kështu deklaroi gjatë dhënies së masës së sigurisë prokurori i çështjes, thanë burime ekskluzive të gazetës “Si”, që shtuan se pasi policia e këqyri vendngjarjen, preu bimën narkotike dhe mori si mostra 4 rrënjë. Vrasja e Vilson Cutaj dhe kushëririt të tij u zbulua pas denoncimit të të vëllait, Olson Cutaj.

Rrok Pepaj

Ndërkohë Gjykata ka lënë sot në burg Rrok Pepajn, babain e Danjel Pepaj, ky i fundit autori i dyshuar i vrasjes së Vilson Cutaj dhe Klement Pepaj në Malësi të Madhe. Mësohet se Rrok Pepaj ka mohuar se ka lidhje me bashkëpunimin e kultivimit të kanabis sativa. Pepaj është shprehur se ka dalë në mal me policinë thjesht për të kërkuar dhe se rastësisht kanë gjetur parcelën dhe dy kufomat.

Burime të Gazetës “Si” zbardhin rrëfimin e Olson Cutaj:

Olson Cutaj

“Dola me vëllain dhe me kushëririn që e thërrasim Kel dhe kushëririn e këtij të fundit që quhet Daniel. Duke diskutuar për ngatërresën e një femre ramë dakord të shkojmë në Vrith. Shkuam me makinën mercedez benz me targa AA .. FL. Kur mbërritëm në hyrje të fshatit, Vilsoni, Danieli dhe Klementi lëvizën në këmbë ndërsa më thanë që t’i prisja tek lokali”. Në denoncimin e tij, Olson Cutaj shprehet se kur i kishte telefonuar të vëllait, Vilsonit, ky i kishte thënë se do të vonoheshin dhe pak, por më vonë telefoni i tij rezultoi i fikur.


Gazeta “Si” po zbardh dosjen në të cilën tregohet se babai i Danielit, tashmë i arrestuar, kishte dijeni për parcelat e drogës, ndonëse ky i dyshuar gjatë ditëve të zhdukjes misterioze të tre të rinjve, bënte apel për ndihmë dhe për gjetjen e të birit Danjel Pepa, aktualisht i shpallur në kërkim.
Trupat u gjetën në datën 8 tetor - thekson policia - në vendin e quajtur Rrënza e Glecarve dhe si prova u administruan dy gëzhoja, dy aparate telefoni dhe sende të tjera nën ekspertim.
Sipas prokurorisë dy të rinjtë u qëlluan me automatik dhe autori më pas ka djegur dy ambjentet e tharjes se drogës, ku kishte sendet e tij dhe është larguar duke marrë me vete armën e krimit. Ka dyshime se babai i autorit kishte dijeni për drogën - këmbëngul organi i akuzës - pasi gjatë kërkimeve ai tregoi për parcelat.

Policia në kërkim të tre të rinjve

Si të dhëna mbështeten deklaratat e policëve që kryen kërkimet në Malësi të Madhe që pohojnë: "Kërkuam tek Maja e Gropës së Pelës, kontrolluam të gjitha lëndinat, më pas rrugën e udhëhoqi Rrok Pepaj. Vazhduam tek maja e Sukës dhe aty nuk konstatuam asgjë të dyshimtë. Rrok Pepaj u drejtua tek lera e Gecajve, as aty nuk u gjet asgjë. Por rreth 500 metra mbi lerën e pa një parcelë me hashash; aty Rrok Pepaj u arrestua”.
I biri i tij, Danjel Pepaj është shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së dy të rinjve. Ai mendohet se ka kaluar në Mal të Zi.
Në datën 3 tetor të tre kushërinjtë u shpallën të zhdukur teksa rezultoi se ngjarja e kishte zanafillën tek konflikti për kanabisin: Klement Pepaj dhe Vilson Cutaj akuzonin Danjel Pepajn se u kishte vjedhur kanabis nga parcela e tyre në zonën malore të Vrithit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë