Sociale

Pensionet, tani edhe bankat do t’i sjellin në shtëpi

Ministria e Financave njofton se është në bisedime me Shoqatën e Bankave për të mundësuar dërgimin e pensioneve në shtëpi.

Por pensionistët duhet të komunikojnë vetë me bankat dhe në rast se do të ketë vonesa në dërgesën e pensioneve, Ministria e Financave këshillon që ata të hyjnë në portalin https://www.shqiperiaqeduam.al/.

“Në vijim të zbatimit të masave të ndërmarra nga Qeveria për situatën e krijuar nga Covid -19, ju bëjmë me dije se, strukturat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë po bashkëpunojnë me Shoqatën e Bankave për shpërndarjen e pensioneve për ata që nuk mund ta tërheqin dot në bankë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave. Sipas MF, “lidhur me shqetësimin e krijuar ditët e fundit për pamundësinë e daljes së pensionistëve për të tërhequr pensionin pranë këtyre bankave, MFE është dakortësuar me Shoqatën e Bankave, që këto të fundit të gjejnë mundësinë për t’ua dërguar në shtëpi pensionin atyre që nuk shkojnë dot në bankë”.

Shërbimi do të kryhet nga strukturat e bankave dhe pa kosto shtesë për pensionistët.

Ministria duke kërkuar mirëkuptimin e pensionistëve thotë se është thelbësore të theksojmë për të gjithë pensionistët që me durim të presin zgjidhjen e kësaj situate.

Gjatë këtyre ditëve ka vijuar normalisht shpërndarja e pensioneve nëpërmjet Postës Shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë