Parlamenti Europian miratoi mbledhjen e kësaj të mërkure raportin për Shqipërinë, me 536 vota pro, 54 kundër dhe 32 vota abstenim.
Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, u shpreh se Shqipëria po e përmbyll në kohë rekord procesin analitik.
“Ne besojmë se do të krijohen kushtet që procesi i anëtarësimit në BE të përfundojë deri në vitin 2030. E ardhmja e Shqipërisë është në BE”, u shpreh Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos.
Komisioneri për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, u shpreh se procesi screening pritet të mbarojë në muajin nëntor të këtij viti.
“Që nga dita e parë e këtij Komisioni, Ballkani Perëndimor ka qenë prioriteti ynë. Angazhimi i përbashkët ka sjellë progres. Që nga debati i vitit të kaluar ka një zhvillim thelbësor: gati një vit më parë, ne hapëm negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Ky ishte një hap i madh për vendin dhe një njohje e qartë e progresit të Shqipërisë në avancimin e agjendës së reformave të BE-së.
Ne duhet të mirëpresim mbështetjen e jashtëzakonshme të dhënë nga Parlamenti Evropian për integrimin e Shqipërisë në BE dhe gjithashtu për negociatat e vazhdueshme të anëtarësimit. Ne planifikojmë të përfundojmë procesin screening deri në muajin nëntor. E ardhmja e këtij vendi me siguri i përket Bashkimit Evropian dhe mendoj se ky është vendi që ka bërë më së shumti në këtë mandat jo vetëm për të kapur hapin e radhës, por edhe për të bërë progres real në terren dhe për të ndryshuar realitetin”, tha Oliver Varhelyi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.