Kosova

PDK dhe LDK: Nëse vijmë në pushtet do të rishkruajmë një draft të ri Asociacioni me SHBA-në

Nga Gazeta 'Si' - Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë qartësuar qëndrimin e tyre për draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Liderët e këtyre dy partive politike opozitare kanë bërë me dije se as ata nëse vijnë në pushtet nuk do ta dërgojnë draftin aktual të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, ashtu siç po kërkon SHBA-ja dhe BE-ja.

Mameli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku kanë treguar se ata do të rishkruajnë një draft të ri në koordinim me aleatët.

I pari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se një gjë të tillë do ta bënte në bashkëpunim me amerikanët.

“Asgjë pa amerikanë nuk ndodh, unë të nesërmen e kisha fillu këtë proces me mirësjellje me kërkesë për ndihmë ekspertëve të SHBA-së…s’është e vonshme, nuk është bre shkencë ajo këta veç s’kanë deshtë, s’kanë ditë ose s’kanë guxu për një javë kryhet ajo punë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, drafti aktual është autonomi politike për serbët e Kosovës.

“Mendoj se është një draft i keq, i cili rrezikon absolutisht jo në ditën e themelimit të Asociacionit, por 6 muaj ose 5 vjet me pasë një entitet i cili përveç një autonomie politike e rrezikon edhe funksionimin shtetit të Kosovës dhe është fatkeqësi pse ka ardhur deri këtu sepse ky është një tekst i cili e ka prodhuar Albin Kurti me mosveprimin e tij”, është shprehur Krasniqi.

Të njëjtën gjë ka thënë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti që e ka sjellë Kosovën në situatën aktuale.

“Çka bëri? E hapi pakon dialoguese me Serbinë, ka përfundu me një marrëveshje të Ohrit që ka brenda kapërcim të së kaluarës, autonomi, e ka heq njohjen dhe Kisha Serbe që nuk ka ardhë ende. Ne kemi pasë reagim refuzues për Marrëveshjen e Ohrit. Pas saj, kemi dalë, i kemi thënë të lutem bëje Asociacionin sipas Kushtetutës të Kosovës sepse kishim kërkesa dhe garanci nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Arsyetimi i tij në Kuvendin e Kosovës, ka qenë kështu: nuk mund ta bëj draftin se më pas ndërmjetësi na e sjell një draft që është më i keq”, ka thënë Abdixhiku.

Nëse vije në pushtet, ai ka thënë se do të fillojë një dialog me SHBA-të për këtë çështje.

“Çka do të bëj unë si kryeministër? Besoj se na duhet një dialog me SHBA-të, në start. Ne jemi zotues për Asociacionin. Ne do ta bëjmë një Asociacionin që nuk është autonomi e Kurtit. Duhet ta shmangim atë, se është rrezik, nuk na duhet as njohja kështu, këta e pranuan që është Republikë Serbe po kështu nuk na duhet as njohja”, ka deklaruar ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë