Politike

PD, Spaho: Në dy vjet, 92 mln euro për 8100 punonjës militantë të PS në nivel lokal

Partia Demokratike konsideron se një nga dështimet më të mëdha të qeverisë së Edi Ramës është reforma territoriale, e cila, sipas saj, është keqpërdorur për punësimin e militantëve të pushtetit.

“Vetëm në dy vjet, 2017-2019, janë paguar nga taksat e qytetarëve rreth 92 milionë euro për më shumë se 8100 punonjës shtesë me kontratë të përhershme, veçanërisht në pushtetin lokal.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, çdo i punësuar i ri kushton rreth 580 mijë lekë në muaj. Një nga arsyet madhore të reformës territoriale ishte reduktimi drastik i shpenzimeve, por punësimi i militantëve në administratën lokale ka sjellë rritjen me 92 milionë euro në 2 vjet të kostos së rrogave të tyre”, tha Spaho.

Po kush janë këta punonjës shtesë në administratën shqiptare?

“Teknikët dhe specialistët janë figura profesionale që do të zgjidhnin shumë probleme për menaxhimin më të mirë të punëve të bashkisë. Por kjo nuk ka ndodhur. Në raport me 2 vite më parë ka 3% më pak teknikë dhe specialistë. Është rritur gati me 15% numri i nëpunësve të lartë dhe drejtuesve. Këta janë njerëzit që ngrohin karriget e zyrave, nuk bëjnë asnjë punë dhe sjellin njerëzit vërdallë. Ne harxhojmë 46 milionë euro në vit për pagat e tyre  që këta parazitë të pushtetit të bëjnë like dhe share në Facebook-un e Edi Ramës dhe të keqpërdoren në fushatë elektorale”, shtoi ai.

Sipas tij, sot nëpër bashkitë e Shqipërisë ka më shumë drejtorë dhe më pak specialistë.   

“ 70% e financave vendore shkojnë për paga dhe administratën dhe vetëm 30% në investime në qytete dhe fshatra. Kjo do të thotë më pak shërbime për qytetarët, më pak zhvillim”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë