Politike

PD: Seancën tjetër të miratohet Kodi i ri Zgjedhor. Balla: Nuk bëjmë përjashtime

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, i kërkon kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi që të fusë menjëherë në proçedurë parlamentare diskutimin për draftin zgjedhor me qëllim që dokumenti të miratohet seancën tjetër parlamentare.   

“Miratimi pa vonesa i ndryshimeve konsensuale në Kodin Zgjedhor do të ishte hapi i parë për të dëshmuar vullnet për përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave. Çdo ditë që vonohet përfshirja e këtyre ndryshimeve për miratim në seancë plenare është një ditë e humbur në rrugëtimin e Shqipërisë në BE.

Zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për zbatimin e identifikimit biometrik”, tha ai.

Demokratët kërkojnë që dokumenti të miratohet para ndryshimeve kushtetuese në fund të muajit korrik sepse në përmbajtjen e saj, Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri kanë firmosur edhe për mos ndryshim të sistemit zgjedhor, një pikë kjo që është lënë për diskutim me një tjetër palë parlamentare në fund të muajit korrik.

Duke kaluar draftin e dakordësuar, demokratët do të kërkojnë më tej që ndryshimet kushtetuese të mos bëhen pjesë e diskutimit sa kohë që paraprakisht për këtë pikë është rënë dakord që të mos preket të paktën për zgjedhjet  e ardhshme parlamentare.  

“Kryetari i Kuvendit të ushtrojë përgjegjësinë e tij për të mundësuar përfshirjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në seancën plenare të radhës. Në këtë mënyrë, 3 vite nga fillimi i punës për Reformën Zgjedhore dhe 1 muaj nga Dakordësia e 5 Qershorit, Shqipëria ka shansin të tregojë se integrimi europian është vërtetë prioritet kombëtar dhe se institucionet janë të përkushtuara për të ushtruar përgjegjësitë e tyre, pa vonesa, në këtë proces jetik për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, tha Bardhi.

Pas kërkesës publike të Partisë Demokratike, reagoi edhe kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla. Gjatë një fjale të mbajtur në Kuvend, Balla tha se ndryshimet e Kodit Zgjedhor do t’i nënshtrohen proçedurës parlamentare si gjithë pikat e tjera. Ai vuri në dukje gjithashtu se sistemi zgjedhor nuk ndryshon.  

“...Ky zotëria duhet të dijë që Kuvendi ka rregulla. Një draft që depozitohet, dy javë ndjek procedurën parlamentare.

Padyshim që Kuvendi do ta shqyrtojë sipas të gjitha normave parlamentare. PS e ka thënë se jemi seriozë kur bie fjala për të respektuar marrëveshjen, sikurse jemi seriozë edhe për nevojën për ta diskutuar sëbashku me opozitën parlamentare jo vetëm çështjen që lidhet me kodin zgjedhor e ku dakordësia politike është vendosur, por edhe për çështjen që lidhet me ndryshimet e propozuar prej jush në Kushtetutë që kanë të bëjnë me disa elementë të rëndësishëm të sistemit zgjedhor edhe pse sistemi nuk ndryshon".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë