Politike

PD: Ramavirusi po vret biznesin prej 7 vitesh

Kryeministri Edi Rama premtoi ditën e enjte heqjen e tatim-fitimit dhe shqyrtimin e heqjes së TVSh-së për biznesin deri në 14 milionë lek xhiro, si masa ndihmëse për të rigjallëruar ekonominë pas pasojave të tërmetit dhe të koronavirusit.

Por, Partia Demokratike mendon se pandemia ishte vetëm dora e fundit dhe se sipërmarrja po vuante prej kohësh nga një krizë më e hershme dhe më e thellë.

“Si pasojë e gjithë këtyre politikave, sot në Tiranë janë me qindra biznese që mbyllen si pasojë e një krize më të thellë dhe të hershme se e COVID-19. Bizneset mbyllen në rrugët kyç të Tiranës, ndërkohë që me dhjetra biznese të tjera në brendësi të lagjeve janë në zgrip. Shqipëria është në një krizë të thellë dhe sistematike dhe ka nevojë për ndryshim në politikëbërje dhe vizion për ekonominë”, deklaron ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Partia Demokratike këmbëngul në qëndrimin e saj se Kryeministri Edi Rama është fajtori kryesor i gjendjes në të cilën, sipas opozitës, ndodhen sot sipërmarrësit e vendit.

“Për shtatë vjet me radhë banda ne pushtet ka goditur ekonominë dhe xhepat e shqiptarëve. Paketat fiskale të drejtuara nga Ramavirusi kanë pasur si synim grabitjen e bizneseve përmes taksave të larta dhe politikave jo stimuluese ndaj bizneseve. Rënia e konsumit dhe rritja e papunësisë ka thelluar edhe më tej varfërinë. Goditjen më të rëndë e ka marrë shtresa e mesme ndërsa ndihma qesharake ekonomike që ishte sa 0.86% e PBB-së nuk shërbeu për kurrgjë”, deklaroi ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

PD akuzon Ramën se përgjatë këtyre 7 viteve e ka goditur biznesin si askush më parë.

“Biznesi si kurrë me parë është sulmuar, taksat janë rritur, mbi biznesin e vogël është vendosur TVSH, këtë vit fillon dhe fiskalizimi një gjobë prej 53 mijë lekësh për bizneset”, deklaroi Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë