Politike

PD kërkon dekriminalizimin për Ramën, Kryeministri: U është fikur kandili i trurit!

Partia Demokratike i kërkon Kryeministrit Edi Rama që të sqarojë nëse deklarata e dhënë gjatë intervistës për një media italiane se ishte arrestuar në Bolonja është bërë për propagandë dhe nëse jo, ai është subjekt i ligjit të dekriminalizimit, pasi ka gënjyer në formularin e vetëdeklarimit.

“Edi Rama duhet të sqarojë urgjentisht nëse ka gënjyer për propagandë se është arrestuar në Bolonja pasi kundërshtoi një punonjës policie, në të kundërt institucionet duhet të nisin menjëherë procedurën e parashikuar nga Ligji i Dekriminalizimit për mosdeklarim në formularin e Dekriminalizimit te arrestimit nga policia”, deklaroi deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.

Sipas Bylykbashit për të njëjtën arsye lanë mandatet e deputetëve Aqif Rakipi i PDIU-së dhe Gledion Rehivica i LSI-së.

“Sa për t'ia kulluar mendimet Kryeministrit, dy deputetë janë larguar nga Parlamenti për kaq gjë. Thjesht sepse nuk deklaruan arrestin. Në mes të hallit që ka zënë të gjithë, kur njerëzit janë mbyllur në shtepi dhe shpesh nuk kanë mundësi të sigurojnë bukën e fëmijëve, apo biznesi u është mbyllur, Rama deklaroi në median italiane se vite më parë është arrestuar në Bolonja, sepse kishte kundërshtuar një punonjës policie”, thotë ish-deputeti demokrat.

https://www.facebook.com/oerd.bylykbashi/posts/10222036778297978

Bylykbashi thotë se në rast mosdeklarimi ligji dikton se ai humbet të gjitha funksionet publike. Edhe si deputet edhe si kryeminister!

“Ligji i Dekriminalizimit i kaluar me shumicë të cilësuar nuk pezullohet me akt normativ, as në kohë lufte, apo pandemie”, vijon Bylykbashi.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë përmes Twitter në lidhje me këto akuza të opozitës. Në reagimin e tij ai thotë se nuk bëhet fjalë për arrestim, por për një sherr që ka patur në aeroportin e Bolonjas, si shembull për racizmin antishqiptar gjatë viteve ’90.

“O Zot të lutem në gjunjë t'u japësh pak vaj për kandilin e trurit, se u është fikur krejt e nuk dinë ç'nxjerrin nga terri i gojës! Unë flas me mediat italiane për racizmin antishqiptar në Itali gjatë viteve '90, duke sjellë shembull një sherr me një polic në aeroport, po këta?! Këta flasin për formularin e dekriminalizimit ku s'paskam deklaruar ndalimin nga policia! O Zot pse nuk e pate mendjen kur i krijove këta, po i le si karabina pa mure, pa elektrik, pa ujë?! Ndërhyr Zot i madh se gjynah këta, po gjynah edhe ky popull që çfarë nuk dëgjon prej tyre!”, thotë Kryeministri.

https://twitter.com/ediramaal/status/1245644436731613190

Deklaratën se është arrestuar njëherë në Bolonja, Kryeministri Edi Rama e bëri gjatë një interviste për “Gazzetta Dello Sport”.

“Më kanë arrestuar njëherë në Bolonja pasi u revoltova kundër një polici, i cili po pyeste një grua se shtatzënë se çfarë kishte fshehur në bark. Ai i afroi qenin dhe ajo, e cila nuk dinte italisht ra në gjendje të fikëti”, tha ai.

Intervista e kryeministrit për “Gazzetta Dello Sport”

Por Bylybashi iu përgjigj Ramës. “E shkruar e zezë mbi të bardhë: "më kanë arrestuar njëherë në Bolonja". Ka dy mundesi zoti Rama: 1. Ose në delir e sipër ke gënjyer median italiane 2. Ose ke gënjyer në formularin e dekriminalizimit.

Alo Edi, pa u nervozuar dhe pa batuta bajate duhet të përgjigjesh për këtë. Je gënjeshtar delirant apo të duhet të  dorëzosh mandatin si cereku i deputetëve të partisë tënde?”, thotë Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë