Politike

PD: Rama po kërkon kapjen e KLSh-së

Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama se po kërkon të kapë edhe Kontrollin e Lartë të Shtetit.

“Rama i ka hedhur sytë nga KLSH, një institucioni të pavarur që i ka treguar shqiptarëve dhe mbarë botës vjedhjet prej 7.2 mld euro të qeverisë Rama. I vetmi institucion qe ka folur dhe ka faktuar qartazi abuzimet dhe vjedhjet nga krimi ekonomik me CEZ tek tenderat, që ka treguar se taksat e rritura janë vjedhur, se korrupsioni sot ka kapur nivele alarmente dhe na rendit në vendet me korrupsionin më të lartë”, deklaron ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku.

Tabaku thotë se kjo po kërkohet që të realizohet përmes një projektligji të ri që i heq kompetencat Presidentit për emërimin e kreut të KLSh-së dhe ja kalon këto kompetenca Qeverisë dhe Parlamentit. Për opozitën kjo është një shkelje e qartë e Kushtetutës dhe uzurpim i kompetencave të Presidentit.

“Po kthehemi pas në standardet e para 1990 në çdo drejtim. Ata kanë frikë nga qytetarët dhe mendojnë se do e ndalojnë mërinë e tyre karshi vjedhjes dhe abuzimit. Sado të lodhen nuk do ia arrijnë! Me zgjedhje të lira e të ndershme e me programin e qartë ekonomik do t’i rikthejmë njerëzve institucionet, shpresën dhe besimin”, thotë Tabaku.

Opozita akuzon Ramën se me 7 ligjet, që i vlerëson antikushtetuese të vettingut kapi sistemin e drejtësisë, më pas u përpoq që të kapë edhe Gjykatën Kushtetuese dhe vazhdoi me kapjen e Këshillit Mbikëqyrës të BSH, Agjencinë e Mbikëqyrjes Financiare, Autoritetin e Konkurencës, AMA e çdo institucion që deri dje ruante balancën dhe kontrollin mbi ekzekutivin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë