Politike

PD: Qeveria shton burokracitë për marrjen e pagesës së papunësisë

Partia Demokratike thotë se pengesat burokratike të Qeverisë pamundësojnë marrjen e pagesës së papunësisë për mijëra punëtorë që kanë lënë punën për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Për të përfituar ndihmën financiare, Qeveria u kërkon punonjësve e-mailin, pra adresën e postës elektronike dhe numrin e celularit. Shqetësimi i shprehur nga ana e kompanive është se shumica e punëtorëve nuk kanë adresë e-maili. Madje një pjesë e tyre nuk kanë as numër celulari personal. Pa plotësimin e këtyre të dhënave, aplikacioni qeveritar për marrjen e pagesës së papunësisë bllokohet. Askush nuk përfiton dot asgjë. Kjo do të thotë që ta bësh të pamundur dhënien e ndihmës apo, në rastin më të mirë, ta vështirësosh atë në maksimum”, deklaroi nga selia blu, Eno Bozdo.

Sipas opozitës, ky është një tregues se Qeveria nuk ka një plan e strategji për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë dhe se vendimet janë aty për aty, të pamenduar dhe na kaos. Bozdo paraqiti dy dokumenta, sipas tij zyrtarë, ku në një rast kërkesat për numër telefoni dhe e-mail mungonte, ndërsa në tjetrin ishte shtuar.

“Ajo u shtua më pas pa asnjë argumentim. Aplikimi për pagesën e papunësisë që kërkon e-mailin dhe numrin e telefonit mund t’i shërbejë qeverisë për marrjen në mënyrë indirekte të të dhënave personale të qytëtarëve, por ajo ua bën edhe më të vështirë jetën mijëra punonjësve. Ky është një shembull sesi me apo pa krizë, me apo pa virus, qeveria është plotësisht e pandjeshme ndaj problemeve reale dhe situatës shumë të vështirë ekonomike që po kalojnë familjet shqiptare”, deklaroi Bozdo.

PD kërkon thjeshtimin e aplikimit, pasi siç thotë Bozdo nga kjo varet shuarja e urisë për mijëra shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë