Politike

PD padit Ramën në SPAK: Kërcënoi mësuesit, infermierët dhe administratën me vendin e punës

Partia Demokratike ka paditur në SPAK kryeministrin Edi Rama për 4 vepra penale në lidhje me zgjedhjet.

 Selia blu thotë se në themel të padisë qëndron kërcënimi dhe shantazhimi i Ramës për të punësuarit në arsim dhe shëndetësi përmes portaleve “Mësues për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”.

 Partia Demokratike akuzon se gjatë një bisede me Milva Ekonomin ditën e djeshme, Rama u shpreh se e mbrojnë vendin e punës vetëm duke votuar PS.

“Duhet ta mbrojnë pozicionin e tyre me votë. Në drejtim të paditur përfundon çdo gjë, edhe puna e tyre. Se e fillojnë prapë ata, se nuk dinë gjë tjetër”- citohet Rama në padi, njofton PD.

 Për Partinë Demokratike, Edi Rama ka konsumuar 4 vepra penale, për te cilat i kërkon SPAK të hapë hetim, që përkatësisht janë Shpërdorimi i detyrës ; Korrupsioni aktiv në zgjedhje; përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore dhe Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje

Në administratën publike punojnë 185 mijë persona, nga 85 mijë që ishin të punësuar në vitin 2013.  Nga këta 10 mijë persona janë punësuar vetëm gjatë muajve të fundit për qëllime elektorale, pa përfshirë 2.500 punonjës me kontrata të përkohshme në pushtetin lokal”- thuhet në padinë e PD, e cila shprehet se kërcënimi i drejtpërdrejtë i Ramës që të votojnë PS është për të 185 mijë punonjësit e  administratës dhe familjarëve të tyre.

“Me këtë veprim, vetë Kryeministri jo vetëm që ka cënuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por mbi të gjitha ka konsumuar një sërë veprash të rënda penale, pasojat e së cilave ndikojnë drejtpërsëdrejti në rezultatin e zgjedhjeve”- thuhet në padinë e PD, që i kërkon SPAK veprime të shpejta e konkrete,  me qëllim parandalimin e mëtejshëm të pasojave të këtij krimi elektoral dhe venien para përgjegjësisë të autorit të këtyre veprave penale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë