Politike

PD padit në SPAK Ramën, Veliajn e Manastirliun: Asfalt elektoral e shkelje të Kodit

Partia Demokratike ka paditur në SPAK Kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe deputetin socialist, Ulsi Manja për shkelje të Kodit Zgjedhor.

Sipas opozitës, në disa rrugë të njësisë 9 është hedhur asfalt elektoral duke mbyllur kanalizimet dhe duke rrezikuar përmbytjen e shtëpive dhe të rrugëve. Sipas PD, punimet kryhen natën dhe pa asnjë tabelë njoftimi

“Ky është një krim elektoral. Ftoj SPAK të hetojë pa vonesë këtë shkelje të ligjit, që dënohet nga 1-5 vjet burg”, deklaroi kandidatja e PD-së, Albana Vokshi.

Vokshi ftoi ftoi qytetarët që në 25 prill të dalin e të votojnë për ndryshimin, që sipas saj do të çojë para drejtësisë abuzuesit, duke nisur nga Edi Rama, Ogerta Manastirliu dhe Erion Veliaj.

Albana Vokshi ka denoncuar Ogerta Manastirliun edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkeljen e ligjit zgjedhor. Të dyja mbulojnë njësinë 9 në Tiranë, por Albana Vokshi thotë se kandidatja e PS ka hapur të paktën 2 zyra elektorale shumë pranë objekteve të përcaktuar si qendra votimi.

Albana Vokshi ishte tek shkolla “Jeronim de Rada”, e përcaktuar si qendër votimi më 25 prill. Kodi Zgjedhor ndalon hapjen e zyrave elektorale në një largësi deri 300 metra nga qëndrat e votimit. Vokshi thotë se ky përcaktim i ligjit zgjedhor nuk është respektuar nga zyrat elektorale të Ogerta Manastirliut pranë shkollës Jeronim de Rada dhe pranë kopshtit numër 3.

“Është një akt i paligjshëm që synon të intimidojë zgjedhësit ditën e votimit. I bëj thirrje KQZ që të mos bëhet palë me PS, por të verifikojë çdo shkelje të ligjit dhe të urdhërojë Policinë Bashkiakë t’i mbyllë këto zyra”, tha Albana Vokshi, e cila shprehet se edhe pas denoncimeve zyrtare të depozituar në KQZ, nuk ka akoma asnjë reagim nga KQZ.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë