Politike

PD nxjerr dokumentet: Testet serologjike me rezultat të gabuar

Bardh Spahia nga PD publikoi dy dokumente me përgjigje të kundërta për një test serologjik.

Ai tha se ashtu si tamponët edhe testet serologjike po dalin me rezultat të gabuar.

“Pas tamponëve që nuk japin rezultatin e saktë, vijnë denoncime edhe për testet serologjike! Ka ndodhur tek personeli shëndetësor i vetë laboratorit të QSUT! Një anëtar i këtij personeli testohet tek laboratori i QSUT dhe del negativ. Përsërit testin serologjik tek spitali amerikan dhe del pozitiv!!!!

A kemi problem me procedurat e testimit apo kitet e përdorura? Si ka mundësi që i njëjti test del me rezultate të ndryshme në dy laboratorë të ndryshëm?

A kemi një situatë edhe me testet serologjike, si me tamponët që rezultojnë fals negativë? Pse vazhdon mungesa e transparencës për këtë situatë?”, tha Spahia

Ai nënvizoi se qeveria nuk i është përgjigjur asnjëherë pyetjes, se a po përdor testet e marra nga Kina të cilat, për shkak se nxirrnin rezultat fals, u kthyen mbrapsht nga Spanja e para e më pas vende të tjera të Europës

“Akoma më serioze është situata, pasi mbetemi vendi me numrin më të ulët të testeve në rajon, edhe ato me rezultate të dyshimta!  Serbia: 80 519 teste/1 milionë banorë;  Mali i Zi: 58 515 teste /1 milionë banorë; Maqedonia e Veriut 51 300 teste /1 milionë banorë; Bosnje Hercegovina: 43 910 teste /1 milionë banorë; Shqipëria: 13 033 teste/1 milionë banorë”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë