Politike

PD, Mehmeti: Mësuesit 12 orë në ditë punë, qeveria të miratojë buxhet shtesë

Eksperti për Arsimin, Ndriçim Mehmeti thotë përmes një konference për shtyp nga selia e PD-së, se ajo që u vu re në javën e parë të vitit të ri shkollor ishte trajtimi i mësuesve me nga 12 orë në ditë mësim.

 “Qeveria në ikje e Edi Ramës nuk ka marrë asnjë masë për të siguruar mësim cilësor. Mësuesit detyrohen të punojnë me 2, 3 dhe 4 turne, nga 12 orë në ditë, pa pushim, pa ushqim, me një mbingarkesë skllavëruese vetëm për faktin se qeveria refuzon të shtojë fondet për shkollat dhe të rrisë numrin e mësuesve.

 Me 30 minuta mësim dhe me mësues të rraskapitur, sakrifica e të gjithëve, e nxënësve, prindërve, mësuesve, nuk do të shpërblehet me dije më të mira.

 Është në detyrimin e qeverisë të respektojë rregullat që vetë ka shkruar. Në janar, Ministria e Arsimit nxori një rregullore ku thuhej se ‘mësuesi nuk mund të qëndrojë fizikisht më shumë se 30 orë në javë në shkollë’.

Realiteti tani është se ata detyrohen të qëndrojnë edhe mbi 40 orë, duke i shfrytëzuar si skllevër, pa u shqetësuar se, sa më shumë t’i keqpërdorin mësuesit, aq më shumë do të ulet cilësia e mësimdhënies”, tha Mehmeti.

Sipas tij,  qeveria duhet të miratojë pa vonesë një buxhet shtesë, për vijimin normal të mësimit, që duhet të mbulojë: “Shpërblimin e mësuesve për orët e zgjatura; Marrjen në punë të mësuesve të rinj për të mbuluar ngarkesën e turneve; Testimin serologjik dhe me tampon të mësuesve dhe stafit ndihmës; Sigurimin e termometrave,  dezinfektantëve dhe kushteve minimale higjeno-sanitare në shkolla; Brenda tetorit, të bëhet certifikimi i shkollave, nëse përmbushin kushtet anticovid”


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë