Politike

PD, Këlliçi: Pse SPAK nuk reagon ndaj padisë për Belinda Ballukun?

Belind Këlliçi që zgjedhjet e 25 Prillit kishte përballë Belinda Ballukun, tha përmes një deklarate për shtyp se padia ndaj saj për zgjedhjet nga ana e PD-së është depozituar në SPAK dhe Prokurori qysh prej 12 prillit.  

“SPAK ka tashmë në dorë provat e një prej operacioneve më të gjera të shndërrimit të shtetit në ingranazh të makinerisë së deformimit të vullnetit të qytetarëve nga ministrja Belinda Balluku.

Shtabi elektoral i Belinda Ballukut, me në krye drejtuesen e shtabit, Laureta Omeri mbledhin të dhënat e banorëve të zonës elektorale të Belinda Balkukut për të kryer legalizimin para zgjedhjeve. Ky është përdorim i  burimeve shtetërore për qëllime partiale dhe elektorale dhe ndëshkohet me burg.

Në këtë bisedë ka detaje të ndërtesave dhe adresave përkatëse për të cilat shtabet elektorale të Partisë Socialiste urdhërojnë legalizimin e menjëhershëm para zgjedhjeve, në këmbim të votës.

Aty dalin në pah hartat e banesave, emrat e punonjësve të administratës publike në vënë në shërbim të kësaj skeme kriminale të blerjes së votës, emrat e votuesve, por edhe shumë informacione të tjera”, tha Këlliçi.

Ai kujtion se PD ka bërë kallzim kundër ministres Balluku dhe stafit të saj që prej datës 12 prill 2021.

“Heshtja e deri më sotme e SPAK dhe e prokurorisë për hetimin e këtij krimi zgjedhor, të depozituar javë më parë nga PD, është tregues i qartë se strukturat që kanë për detyrë të hetojnë këto krime nuk po e kryejnë misionin e tyre.

Sot Prokurori i Përgjithshëm dhe Drejtuesi i SPAK kanë përpara tyre një krim të dyfishtë, atë të vjedhjes së zgjedhjeve dhe atë të mosveprimit të organit të prokurorisë për të parandaluar e ndëshkuar krimet zgjedhore të provuara.

Ky rast flagrant është një provë sesa të përkushtuar janë vërtet këto organe për të përmbushur detyrën e tyre, sic pret opinioni publik shqiptar dhe partnerët tanë ndërkombëtare.

Kjo është një provë flagrante që provon se si Edi Rama dhe Belinda Balluku janë në krye të operacionit kriminal të vjedhjes së zgjedhjeve, duke shkelur ligjin dhe duke përdorur burimet shtetërore për të deformuar vullnetin e qytetarëve dhe rezultatin e zgjedhjeve. Dhe ky nuk është një rast i izoluar por një hallkë në zinxhirin e gjatë të përdorimit të administratës publike dhe buxhetit të shtetit në funksion të blerjes së votës”, tha ai, duke paralajmëruar të tjera denoncime ditët në vijim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë