Politike

PD i kërkoi leje për 6 dhjetorin / Veliaj: Zhvillojeni tek Sheshi ‘Skënderbej’, Berisha: Jo. Jemi para kryeministrisë

 Bashkia e Tiranës refuzoi kërkesën e Partisë Demokratike për të zhvilluar protestën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në datën 6 Dhjetor, ditën kur në kryeqytet do të zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor.

Në përgjigje thuhet se pjesa e madhe e rrugëve do të jenë në funksion të këtij samiti, ndërkohë propozon që protesta e opozitës të zhvillohet në sheshin “Skënderbej”.

“Në përgjigje të kërkesës suaj protokolluar pranë Bashkisë Tiranë, nëpërmjet së cilës kërkoni leje për vendosjen e një foltoreje në kuadrin e organizimit të një tubimi protestë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, nga ora 12:00 deri në orën 16:00, si dhe bazuar në shkresën e bërë publike të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku shprehet ndalimi organizimit të ketij tubimi për shkak se bie në kundërshtim me perimetrin e sigurisë të cituar në shkresën përkatëse, ju bëjmë me dije se kërkesa juaj nuk mund të miratohet.

Bashkia Tiranë, si njësi e vetëqeverisjes vendore, në territorin e së cilës do organizohet samiti Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është e angazhuar me organizimin e këtij Samiti, sipas fushës së funksioneve që ajo mbulon.

Për sa më sipër, Bashkia Tiranë e ka të pamundur t’iu pajisë me një leje për zënien e hapësirës publike për zhvillimin e tubimit që ju kërkoni të zhvilloni në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Duke qenë se për shkak të zhvillimit të samitit të Bashkimit Evropian në qytetin e Tiranës, pjesa më e madhe e rrugëve në qytet do jenë në funksion të mbarëvajtjes së këtij samiti, duke mos cenuar të drejtën tuaj për tubime, ju propozojmë zhvillimin e tij pranë Sheshit Skënderbej.

Për sa me sipër, nëse jeni dakord me këtë propozim, na bëni sa me shpejt me dije, që Bashkia Tiranë të vijoj me lëshimin e lejes përkatëse për zhvillimin e këtij tubimi”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë. I pyetur për këtë qëndrim, Berisha tha për mediat:

“6 dhjetori protesta më e madhe do mbahet para Kryeministrisë, bashkia të mos përzihet se s’ka forcë në botë që mund të pengojë. Ramës i intereson dhuna atë ditë por bën mirë që as dyert të mos i blindojë se do bëjë lajm botëror. Jemi në protestë pro samitit dhe kundër Ramës”.

Por i pyetur se a do të shpallet non-grata edhe nga BE-ja, Berisha nuk kurseu akuzat për ambasadorët e vendeve te huaja në Tiranë.

 “Problemi im kur e pyes veten a më ndihmon apo më dëmton, nuk do të them se më dëmton. Më hapet një mundësi për të mbrojtur dinjitetin dhe interesat e popullit tim në një moment jashtëzakonisht kritik. Në një moment kur ligjin e bëjnë guvernatorët për faktin e vetëm se qeveritarët janë organizatë kriminale, janë të gjithë siç po i sheh populli shqiptar çdo ditë dhe pikërisht atëherë ata nuk i thonë dot asnjë gjysmë fjale. Vazhdojnë emërime, shkarkime nga guvernatorë, nga ambasadorët nga të gjitha këto. Ky vend ka humbur çdo gjë! Ky është narkoshteti. Nga njëra anë mafia bën betejën e vetë, nga ana tjetër ata të cilët shohin që këtu s’ka shtet sillen si guvernatorë. Por këto të gjitha janë një motiv i jashtëzakonshëm për mua për t’i dalë zot këtij vendi dhe kësaj shoqërie në të gjithë idealet e shqiptarëve”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë