Politike

PD, Çupi: Rama ka ndarë Shqipërinë në 4 rajone për qëllime elektorale

Dhurata Çupi e Partisë Demokratike tha përmes një konference për shtyp se mazhoranca, ditën e ndryshimeve kushtetuese, ka miratuar edhe një ligj që në thelb ndan Shqipërinë në 4 rajone.

“Pas reformës së dështuar për ndarjen e Shqipërisë në 61 bashki, ky ligj largon akoma më shumë shërbimet nga njerëzit.

Qytetarët e 57 bashkive të vendit duhet të shkojnë deri në 1 nga 4 bashkitë qendër rajoni, për të marrë një shërbim të caktuar. Kjo do ta bëjë edhe më të vështirë sesa tani komunikimin mes pushtetit lokal dhe qytetarëve. Në këtë mënyrë qeveria centralizon pushtetin me të emëruarit e saj, duke dëmtuar rëndë interesin publik. 

Heqja e shërbimeve ndaj qytetarëve në vendin ku ata banojnë nuk i intereson Edi Ramës.

Interesi i tij për miratimin e ligjit absurd që ndan Shqipërinë në 4 rajone është vetëm politik, elektoral dhe financiar”, tha ajo.

Ligji i miratuar pa zhurmë, sipas saj, dobëson pushtetin lokal dhe rrit fuqinë e qeverisë qendrore, duke marrë kompetenca të bashkive apo të qarqeve.

“Dy janë tiparet kryesore të ligjit që shkel me këmbë interesin e qytetarëve; Sjell centralizimin e pushtetit në duart e Edi Ramës dhe con të gjitha fondet e Bashkimit Europian në duart e Edi Ramës.

Çdo ndërhyrje e Edi Ramës ka të bëjë ose me pushtetin, ose me paranë. Njësoj si ndarja e dështuar territorial, ligji nuk ka për të sjellë as zhvillim, as shpërndarje më të drejtë fondesh.

Diskriminimi i bashkive apo i rajoneve do të vazhdojë sipas interesit politik dhe elektoral të Edi Ramës. Qytetarët do të dalin më të dëmtuar, më të papërfaqësuar më të braktisur”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë