Politike

PD, Çupi: Për tre vjet, janë harxhuar 147 mln euro për punësime elektorale

Dhurata Çupi, përmes një deklarate nga selia blu, thotë se kryeministri Edi Rama po blen vota me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Edi Rama ka paguar një mal me para për të punësuar në shtet me kontrata të përkohshme mbi 13 mijë persona që nga viti 2017, duke e shndërruar administratën në një degë të partisë në pushtet. 

Me firmën e tij, qeveria e Edi Ramës i ka miratuar këto kontrata përmes 23 vendimeve, duke nxjerrë nga arka e shtetit rreth 55 milionë euro për punësimet elektorale. 

Një ditë më parë, ne hodhëm dritë mbi punësimet elektorale në pushtetin lokal, ku për 8100 persona të punësuar shtesë nga bashkitë, janë paguar edhe 92 milionë euro të tjera në 2 vjet”, tha Çupi.  

Sipas saj, janë 147 milionë euro të shpenzuara vetëm 3 vitet e fundit për mbi 21 mijë punësime në qeverinë qendrore dhe lokale.

“Janë 147 milionë euro të cilat kanë shkuar për paga partiake dhe elektorale. Janë më shumë para sesa Edi Rama dha për përballimin e pandemisë me paketat e tij gjysmake.

Kryeministri në ikje e ka bërë zgjedhjen e tij. Më paratë e shqiptarëve nga taksat e rritura, ai paguan oligarkët me koncesione 120 milionë euro në vit, paguan dhe punësimet partiake, plot 147 milionë euro.

Këto janë fakte se ne nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur dhe kemi mbetur vend më i varfër në Europë, ku 1 në 3 shqiptarë ushqehet vetëm 1 herë në ditë”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë