Partia Demokratike thotë se kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit ka shembur fasadën e propagandës në sistemin e shëndetësisë.
“Në “shëndetësinë falas” të Edi Ramës, shqiptarët blejnë vetë nga ushqimi deri tek respiratorët. Pandemia nga COVID ka shfaqur para syve të të gjithëve sa e mjeruar është gjendja në spitalet tona, sa i madh është dështimi i qeverisë, sa e rrezikshme është kjo qeveri për shqiptarët. Kontrasti mes propagandës së qeverisë dhe realitetit është i jashtëzakonshëm”, tha ish-deputetja e PD-së, Orjola Pampuri.
Ish-deputetja demokrate e shoqëron këtë reagim me një video, që thotë se janë dëshmitë e të afërmve të pacientëve që po kuron ndaj Covid-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Sipas këtyre dëshmive, situata në këtë spital është krejt tjetër nga ajo që pretendon Qeveria.
“Kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë flasin për spitale si në Zvicër, por qytetarët në hall në dyert e spitaleve tregojnë të vërtetën e dështimit të “shëndetësisë falas”. Ata blejnë vetë nga ushqimi i përditshëm deri tek respiratorët”, vijoi Pampuri.
PD thotë se Shqipëria është e fundit për numrin e testimeve për 1 milion banorë dhe ndër katër vendet e para për vdekje ditore dhe numrin më të lartë të përhapjes së infeksionit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.