Lajme

PD: Biznesmeni Bego përfitoi 100 milionë nga buxheti i shtetit

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, ka publikuar sot provën, e cila sipas tij tregon se si buxheti i shtetit është vënë në shërbim të trafikantëve të drogës.

Qeveria i ka dhënë tenderë publikë kompanisë “Inerte Expres”, e cila zotërohet nga biznesmeni Mondi Bega. Bosi i dënuar për trafik droge me 21 vjet burg në Itali, ka përfituar së fundmi një tender 100 milionësh nga OST-ja.

“Të dhënat zyrtare tregojnë se kompania “Inerte Express”, me pronar trafikantin e drogës dhe mikun e familjes së Taulant Ballës, nuk ka përvojë në ndërtimin e nënstacioneve elektrikë dhe se këtë funksion ai e shtoi në fund të dhjetorit 2017. Pak muaj më vonë, kompania pa përvojë e mikut trafikant droge të Taulant Ballës përfitoi një tender publik nga OST me vlerë 100 milionë lekë të reja”, deklaroi Spaho.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike akuzoi Taulant Ballën se ka shërbyer si sekser për t’i dhënë para nga Buxheti i Shtetit mikut të tij, Edmond Bego.

“Balla duhet t’u thotë shqiptarëve a ka bërë ai sekserin me OST-në, që miku i tij trafikant droge të fitojë një tender prej 100 milionë lekë? Sa më shumë të heshtë Taulanti pa sqaruar çfarë e lidh atë me miqësi familjare me një trafikant të rrezikshëm droge, që autoritetet italiane e kanë dënuar me 21 vjet burg, aq më shumë forcohet bindja për rolin e Taulant Ballës si sekser të miliona eurove që ua merr shqiptarëve për t’i ndarë me trafikantin e drogës”, thekson ai.

Taulant Balla e ka pranuar njohjen me biznesmenin, por është shprehur se nuk i është ofruar mburojë politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë