Politike

PD bëhet gati për zgjedhjet e 2021, Basha: Nisim fushatën në shtator

Partia Demokratike nuk ka dhënë  ende përgjigje se çfarë do të bëjë me ecurinë e Këshillit Politik për implementimin në Kod të ndryshimeve kushtetuese, por ka konfirmuar se  është gati të marrë pjesë në zgjedhje duke filluar fushatën elektorale në muajin Shtator.

Muaji gusht do të jetë periudhë e seleksionimit të kandidaturave për deputet. Kryesia dhe më pas Këshilli Kombëtar miratuan Komisionin e Vlerësimit nga ku do të verifikohen kandidaturat e propozuara nga baza.

“Muaji gusht do të jetë muaj pune intensive. Krahas përzgjedhjes së kandidatëve ne do të finalizojmë programin qeverisës të vendit, do të ngremë strukturat drejtuese të fushatës elektorale dhe organizojmë partinë për zgjedhje, duke nisur nga qendra e votimit e deri tek selia qendrore në Tiranë. Në shtator nisim fushatën elektorale, e cila do të mbyllet me fitoren e zgjedhjeve dhe hapjen e një kapitulli të qeverisjes për qytetarët dhe me qytetarët”,- tha Basha gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Sipas vendimit të Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar, Komisioni përbëhet nga: Bujar Nishani, Kryetar i Këshillit Kombëtar, ish President i Republikës, ish ministër; Besnik Mustafaj, ish Ministër i Jashtëm, themelues i PD; Genc Ruli, ish ministër, themelues i PD; Enriketa Papa, pedagoge dhe historiane, studiuese e krimeve të komunizmit dhe  Mark Marku, pedagog, ish deputet.

Gjatë fazës së seleksionimit do të merren parasysh kriteret që lidhen me aktivizimin në jetën politike dhe publike të vendit, të kenë qenë mbrojtës në vazhdimësi të interesave vlerave dhe programit të PD-së, kontributit politik në parti, apo angazhimit në fushata elektorale.

Procesi i seleksionimit zgjat një muaj. Në shtator lista i kthehet sërish bazës për miratim. 80% e saj do të miratohet në fund nga kryesia e partisë ndërsa 20% do të jenë prurje të reja të propozuara nga lidershipi i partisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë