Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka depozituar disa amendamente për ndryshime në rregulloren e Kuvendit që kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e seancave parlamentare, pezullimin e vendimeve për përjashtimin e deputetëve derisa të shprehet Byroja si dhe rritjen e stafit mbështetës.
Konkretisht, demokratët kërkojnë që në rast të ankimit të një deputeti për vendimet e sekretariatit të Kuvendit, pezullimi i tij “të ngrijë” deri sa të shprehet Byroja.
“Me paraqitjen e ankimit, urdhri i drejtuesit të seancës plenare/ komisionit dhe/ ose vendimi i Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën pezullohet deri në dhënien e vendimit nga Byroja e Kuvendit”, thuhet në amendamentin e PD-së.
PD gjithashtu propozon që sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën të jetë me anëtarë të barabartë.
“Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën përbëhet nga një sekretar dhe pesë anëtarë, në raporte të barabarta ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare”, shkruan PD.
Demokratët propozojnë gjithashtu që institucionet shtetërore të jenë të detyruar t’u kthejnë përgjigje deputetëve brenda 15 ditëve dhe nëse kjo nuk ndodh, ndërhyn kryetari i Kuvendit.
Sipas PD-së, seancat duhet të zgjasin deri në orën 22:00 dhe nëse ka ende çështje të pashqyrtuara, punimet të rifillojnë ditën pasardhëse.
“Në rast të zgjatjes së seancës plenare përtej orës 22:00, me kërkesë të kryetarit të një grupi parlamentar, seanca plenare ndërpritet dhe rifillon ditën pasardhëse në orën 10:00”, thuhet në amendamentet e PD.
PD nënvizon se pushteti nuk duhet të cenojë parimin demokratik përfaqësues të deputetëve dhe ftoi mazhorancën dhe Peleshin që t’i bashkoheshin nismës së opozitës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje