Politike

PD: Prokurorja Donika Prela në përgjimet e bandës Avdylaj

Një ditë përpara se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të japë vendimin për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela, si pjesë e procesit të vettingut, Partia Demokratike e akuzon se ajo është kapur në përgjimet e bandës së Avdylajve. Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj nëpërmjet konferencës për shtyp theksoi se organet e vettingut duhet t’i japin përgjigje pyetjes: A është Donika Prela pjesë e dosjes 339, e kapur në përgjim me bandën e Avdyljave duke biseduar me kreun e bandës Astrit Avdylaj?
“Përgjimet e dosjes 339 janë bërë në kohën kur Donika Prela drejtonte Prokurorinë e Durrësit dhe Astrit Avdylaj u arrestua për armëmbajtje pa leje, por më pas u lirua si i pafajshëm. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përgjegjësinë të bëjë verifikim të plotë për Drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Një prokuror i korruptuar dhe me lidhje me krimin e organizuar nuk mund të japë drejtësi! Organet e Vettingut kanë përgjegjësinë të mos lejojnë që një prokurore me pasuri të pajustifikuar, e dyshuar për lidhje me krimin e organizuar të drejtojë strukturat më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi demokrati Alibeaj.

Për PD-në, Prela është takuar me një nga anëtarët e KPK-së, Valbona Sanxhaktari, e cila pritet të japë vendimin për drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

“Përpara se të japë vendimin për Donika Prelën, KPK duhet të verifikojë nga kamerat e sigurisë a është takuar Donika Prela në nëntor-dhjetor me anëtaren e vetingut Valbona Sanxhaktari dhe a është pjesë e dosjes 339, duke u kapur në përgjim me Astrit Avdylajn. Për lehtësi pune, i sugjerojmë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të kërkojë kamerat e Sigurisë së Prokurorisë së Krimeve të Rënda në muajt nëntor-dhjetor”, theksoi Alibeaj.

Për opozitën rasti i drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela po konfirmon se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është një vegël në duart e pushtetit për të mbajtur në sistem prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar dhe se në dosjen e Donika Prelës ka dokumente që provojnë se miliona lekë nga pasuria e saj janë të pajustifikuar, se bashkëshorti i saj dyshohet për pastrim parash dhe se, në rastin më të mirë, ai ka punuar në të zezë.
“Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit bëri një përpjekje të lavdërueshme për të hedhur dritë mbi aktivitetin e paligjshëm të Donika Prelës, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është urdhëruar të mbajë në sistem një tjetër prokurore të korruptuar, të shantazhueshme nga politika dhe nga bandat”, theksoi Alibeaj.


Donika Prela në seancën dëgjimore në KPK

Më 22 janar, Donika Prela doli përpara KPK-së në një seancë dëgjimore përpara trupës gjykuese trupa gjykuese e drejtuar nga Roland Ilia, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.

Përfaqësuesit ndërkombëtar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM, Nga ONM-ja është kërkuar informacion për hetimin e Emiliano Shullazit dhe Gilmando Danit për periudhën maj-tetor 2018. Subjekti ka paraqitur raport shpjegues. ONM-ja i ka kërkuar llogari Donika Prelës pse u bllokua pretenca për Emiliano Shullazit.

Përfaqësuesi i ONM, Teo Jacobs i kërkojë gjithashtu llogari prokurores Prela për t’i vërtetuar me dokumente se përse kompania në fjalë nuk i kishte paguar sigurimet shoqërore për 3 vite bashkëshortit. Jacob kërkoi informacion më të detajuar nëse bashkëshorti i saj ishte një viktimë e punëdhënësit, apo kishte bashkëpunuar me të për të mos paguar taksa në shtet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë