Sociale

PD: 80 për qind e Tiranës pa ujë

Partia Demokratike thotë se qyteti i Tiranës është përfshirë nga kriza e mungesës së ujit në rubineta në përmasa alarmante, për të cilat akuzon kryebashkiakun Erjon Veliaj se mundohet që t’i mbajë të fshehta.

Ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi tha në një deklaratë publike se 80 për qind e banorëve të Tiranës vuajnë kufizimin me orare të tejzgjatura të furnizimit me ujë.

“Mijëra mesazhe e denoncime kanë mbërritur në Partinë Demokratike për mungesën e furnizimit me ujë në Tiranë. Dhjetra lagje në Kryeqytet ankohen se nuk furnizohen me ujë prej javësh, lagje të tëra uji mungon mbi 20 orë në ditë, ndërsa faturat e ujit u shumëfishuan për të justifikuar vjedhjen galopante në Ujësjellësin Tiranë”, tha ai.

Përhapja gjeografike e mungesë së ujit, sipas PD-së, tregon se vjedhjen dhe shpërdorimin e detyrës nga drejtuesit e bashkisë dhe ata të ujësjellës-kanalizimeve.

“Problemi i mungesës së ujit nuk është vetëm në periferi, por edhe në qendër të Tiranës. Denoncimet vijnë, jo vetëm nga Yzberishi, Astiri, Ali Demi, Lapraka, Uzina e Autotraktorëve, por edhe nga rruga ”Sami Frashëri”, zona e “Myslym Shyrit”, zona e Bllokut etj. Nuk mjafton kjo, por qytetarët ankohen se uji vjen i ndotur në rubineta në rrezik shpërthimi epidemish.Sipas stafit të UKT, nuk ka prioritete, nuk ka hot-spote (pika ku duhet të ndërhyhet menjëherë), nuk ka plane veç çfarë të dalin më parë mundësitë për të zhvatur! Çdo ditë në Tiranë, në çdo lagje të saj, shihen qytetarë të lodhur, të dëshperuar, që presin me orë depozitat me ujë që transportohen nga kompani klientë të Erjon Veliajt. Praktikisht Tirana e merr ujin, një nevojë bazike, tashmë me tollon, njëlloj siç ndodhte me ushqimet bazike në kohën e Enverit”, tha Vokshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë