Ekonomi

PBB-ja e Shqipërisë u rrit me 9% në 2021-shin. Tirana dhe Durrësi ‘mbajtën në këmbë’ ekonominë

Nga Gazeta ‘SI’ - Produkti i Brendshëm Bruto me çmime korrente sipas rajoneve statistikore, në vitin 2021 raportohet 1.85 mijë mld lekë me një rritje rreth 9% nga 2020-a.

Sipas rajoneve, qarku me PBB-në më të lartë është Tirana, me mbi 811 mld lekë, duke zënë rreth 44% të PB-së totale të vendit.  Vlera më e ulët e PBB-së paraqitet në qarkun Kukës, me 29 miliardë lekë ose 1.56 % të PBB-së gjithsej.

Rrjedhimisht Tirana ka dhënë edhe kontributin më të madh në rritjen e PBB-së kombëtare, rreth 5 pikë përqindje, ndjekur nga Durrësi me 1 pikë përqindje. Kukësi ka dhënë kontributin më të ulët.

INSTAT thotë se PBB-ja për frymë në 2021-shin, arriti në 660 mijë lekë me një rritje prej rreth 14% nga 2020-a. Përsëri kryeson kryeqyteti, me një PBB për frymë 886 mijë Lekë. PBB për frymë e këtij qarku ishte 34.21 % mbi mesataren e vendit. Më pas renditet qarku Fier me 714 mijë Lekë, 8,17 % mbi mesataren e vendit

Kukësi renditet si vendi me PBB-në për frymë më të ulët, 395 mijë lekë, rreth 40% nën mesataren e fundit, ndjekur nga Lezha, me rreth 461 mijë lekë, 30% nën mesataren e vendit.

Sipas ndarjes së aktivitetit ekonomik, kontributin më të madh e ka dhënë bujqësia, pyjet dhe peshkimi me 21%, ndjekur nga tregtia me shumicë, pakicë, transporti dhe akomodimi 19%. Kontributin më të ulët për vitin 2021, e ka dhënë aktivitetit “ Aktivitete financiare dhe sigurimeve” me 2.4 %.

Shqipëria ishte vendi me PBB-në më të ulët për frymë sipas fuqisë blerëse edhe në Europë, po për të njëjtin vit. Sipas Eurostat ajo është sa 32% e mesatares europiane, më poshtë edhe se vendet e rajonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë