Treg

Pavarësisht shqetësimit të BSH-së, rritet kredia për banesa

Kërkesa për kredi nga bizneset dhe individët vijoi të rritet edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërsa bankat mbajtën politika kreditimi përgjithësisht të favorshme. Vrojtimi i Aktivitetit Kreditues i Bankës së Shqipërisë tregon se, edhe pse standardet për bizneset mbetën kryesisht të pandryshuara, individët përfituan nga lehtësimi i mëtejshëm i kushteve të financimit, ndërsa për bizneset e vogla dhe të mesme bankat u shfaqën më fleksibël.

Individët përfitojnë nga politika më lehtësuese

Në segmentin e individëve, tabloja rezulton edhe më pozitive. Bankat raportojnë se kanë lehtësuar standardet e kreditimit si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për kreditë për blerjen e banesave.

Ndryshe nga bizneset, për individët është rritur edhe shkalla e miratimit të kredive, falë vlerësimeve më të mira për klientët ekzistues dhe historikut të marrëdhënieve me bankat. Kushtet e përgjithshme të kreditimit mbetën të pandryshuara, por konkurrenca në sektor vazhdon të ushtrojë presion për oferta më të favorshme.

Bankat raportojnë se kërkesa e individëve për kredi është rritur si për blerjen e banesave, ashtu edhe për financimin e konsumit.

Normat e interesit, besimi i konsumatorëve dhe pritshmëritë për tregun e pasurive të paluajtshme kanë qenë faktorët kryesorë që kanë nxitur këtë tendencë. Gjithashtu, edhe ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme është konsideruar si një element që ka mbështetur kërkesën për kredi në këtë periudhë.

Për individët, pritshmëritë janë për vijimin e politikave favorizuese si për kreditë konsumatore, ashtu edhe për kreditë hipotekore. Ndërkohë, kërkesa për kredi nga bizneset pritet të stabilizohet, ndërsa ajo nga individët të mbetet në rritje, duke reflektuar interesin e vazhdueshëm për financimin e konsumit dhe investimeve në banesa.

Bizneset kërkojnë më shumë kredi për investime dhe likuiditet

Sipas bankave, kërkesa për financim nga bizneset u rrit në të gjitha segmentet, si për ndërmarrjet e mëdha ashtu edhe për ato të vogla e të mesme. Interesi më i lartë lidhet me financimin e investimeve të reja, por edhe me nevojat për kapital qarkullues dhe likuiditet.

Rritja e kërkesës është mbështetur nga normat relativisht të favorshme të interesit dhe përmirësimi i besimit të biznesit, ndërsa shumë kompani po shfrytëzojnë kushtet aktuale të tregut për të zgjeruar aktivitetin ose për të financuar planet e investimeve. Nga ana tjetër, përdorimi i burimeve të brendshme të financimit dhe pasiguritë mbi ecurinë ekonomike kanë frenuar pjesërisht kërkesën për kredi.

Edhe pse kërkesa është rritur, bankat nuk kanë ndryshuar standardet e kreditimit për bizneset. Për bizneset e mëdha, kriteret mbetën të pandryshuara, ndërsa për bizneset e vogla dhe të mesme u vu re një lehtësim i moderuar.

Sipas vrojtimit, konkurrenca mes bankave vijon të jetë një nga faktorët kryesorë që i shtyn institucionet financiare të tregohen më tolerante ndaj rrezikut dhe të ofrojnë kushte më konkurruese për klientët. Po ashtu, raporti i kredive të miratuara ndaj aplikimeve mbeti pothuajse i pandryshuar, duke treguar se bankat nuk kanë rritur refuzimet për bizneset.

Për tremujorin e tretë, bankat presin që politikat e kreditimit për bizneset e mëdha të mbeten të pandryshuara, ndërsa për bizneset e vogla dhe të mesme standardet mund të lehtësohen edhe më tej.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë