Treg

Pavarësisht shqetësimeve të autoriteteve, të huajt mbajnë 20 mld lekë të borxhit shqiptar

Nga Gazeta ‘SI’ – Përballë shqetësimeve të qeverisë, interesi i të huajve për borxhin shqiptar ka qenë i qëndrueshëm edhe në 2025-n.

Në gjysmën e dytë të vitit, jorezidentët kishin një portofol të titujve të borxhit prej 20 mld lekësh, ose sa 2% i totalit. Ky nivel nuk ka ndryshuar krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm, por është rritur ndjeshëm nga 2024-a, kur ky tregues ishte 14 mld lekë.

Në të njëjtën kohë, emetimi total i titujve të borxhit nga qeveria ka rënë në mënyrë të dukshme. Vëllimi total i emetimeve ka qenë rreth 130 miliardë lekë, rreth 40% më pak se gjashtëmujori i parë dhe 8% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e tyre janë bono 12-mujore.

Ky tregues lidhet me yield-et e ulëta, që nuk garantojnë ndonjë kthim joshës dhe me nevojën më të reduktuar të qeverisë për financim gjatë periudhës.

Interesi i të huajve për titujt e borxhit shqiptar u vërejt për herë të parë në vitin 2024 dhe u pa si zhvillim pozitiv nga Banka e Shqipërisë, por jo nga qeveria.

Kryetar i komisionit të Dezinformimit, Erion Braçe u shpreh i shqetësuar për interesin e të huajve, pasi aty mund të ketë edhe investitorë nga vende jo-mike. Ai i kërkoi Guvernatorit Gent Sejko origjinën e investitorëve.

Braçe vuri theksin se është e nevojshme ndërtimi me ligj një sistem kontrolli me qëllim që ekonomia e hapur të mos infektohet nga kapitale që e kanë origjinën e tyre nga vende jo mike. Sistemi bankar e financiar i këtij vendi duhet të jetë në alert të vazhdueshëm edhe për këtë

Sejko tha se nuk ka informacion për origjinën e blerësve të borxhit.

“Për momentin nuk kemi informacion. Jemi në analizë për të parë investitorët e huaj që ndërhyjnë në borxhin e Shqipërisë. Përtej pyetjes tuaj lajm i mirë është se ka interes nga investitorët e huaj për të investuar në borxhin  e Republikës së Shqipërisë, pra në bonot e thesarit. Kjo është hera e parë që shohim interes nga investitorët e huaj për të investuar në këtë borxh. Këto investitorë janë nga banka të nivelit të dytë me vende origjine nga vendet e BE-së. Bankat e nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri nga mëmat e tyre kanë kërkesa për të investuar në bono thesari. Pra me euro ata investojnë në lek. Kjo është një nga faktorët që ka ndikuar në mbiçmimin e mëtejshëm të euros, mes faktorëve të tjerë” tha Guvernatori.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë