Ekonomi

Pavarësisht optimizmit të tregjeve, perspektiva ekonomike për këtë vit është ulur

Rritja ekonomike globale parashikohet se me vështirësi mund të kalojë shifrën 2% këtë vit, sipas një sondazhi të Reuters me ekonomistët të cilët deklaruan se rreziku më i madh ishte një tjetër rënie në këndvështrimin e tyre, ndryshe nga optimizmi i përhapur në tregje që nga fillimi i vitit.

Rënia e çmimeve të energjisë, ngadalësimi i inflacionit në shumicën e ekonomive krahasuar me nivelet më të larta të disa dekadave që u arritën së fundmi, ekonomia e qëndrueshme e eurozonës dhe rihapja ekonomike e Kinës kanë bërë që tregtarët të spekulojnë se ngadalësimi ekonomik do të jetë më i lehtë.

Kjo ka bërë që indeksi botëror i aksioneve të MSCI-së të rritet me gati 20% nga nivelet më të ulëta që arriti në tetor, duke shkuar kështu në shifrën më të lartë të pesë muajve të fundit pavarësisht rrezikut të shtuar që bankat qendrore mund t’i mbajnë normat e interesit më të larta për një periudhë më të gjatë, në vend që t’i ulin ato.

Por, ekonomistët në tërësi ishin shumë më pak optimistë, duke ulur parashikimet e rritjes për këtë vit dhe vitin e ardhshëm nga 2.3% dhe 3.0%, respektivisht, sipas rezultateve të një sondazhi të tetorit të vitit të kaluar, në 2.1% dhe 2.8%. Pesimizmi i tyre erdhi menjëherë pas disa përmirësimeve të dukshme në pritshmëritë e bankave gjatë javëve të fundit.

Megjithatë, disa nga emrat më të mëdhenj të Wall Street-it kanë hedhur poshtë pritshmëritë se ekonomia e SHBA-së do ta kalojë vitin 2023 pa një recesion.

Parashikimi i rritjes për vitin 2023 është shumë më i vogël se parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar prej 2.7% i cili u publikua në tetor dhe do të përditësohet javën e ardhshme. Sondazhet e fundit të Reuters me më shumë se 500 ekonomistë që mbulojnë 45 ekonomi u realizuan në periudhën 5-25 janar.

Më shumë se dy të tretat e të anketuarve, 130 nga 195, thanë se rreziku më i madh për perspektivën e tyre lidhur me rritjen ekonomike botërore ishte fakti se ajo mund të jetë akoma më e ngadaltë nga sa parashikojnë ata aktualisht.

Një pjesë e madhe e kësaj do të varet nga suksesi që do të mund të pretendojnë bankat qendrore kryesore të botës nga rritjet historikisht agresive të normave të interesit përgjatë një viti, të cilat ende nuk kanë përfunduar. Ndikimi i plotë i rritjes së normave mund të shfaqet në ekonomi pas një viti ose edhe më shumë kohe.

Parashikimet konsensuale të rritjes së produktit të brendshëm bruto për vitin 2023 për më shumë se 80% të ekonomive të anketuara u ulën në krahasim me sondazhin e tetorit.

Parashikimet e inflacionit për këtë vit në gati 80% të ekonomive të anketuara, 35 nga 45, u shtuan nga sondazhi i tetorit, duke treguar kështu se ekonomistët presin që bankat qendrore globale të vazhdojnë të mbajnë një politikë monetare më të shtrënguar për një periudhë të gjatë kohore.

Burimi: Reuters/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë