Futboll

Paulo Dibala nuk do të rinovojë me Juventusin, lamtumirë në fund të sezonit

Gazeta Si - Paulo Dibala nuk do ta rinovojë kontratën dhe në fund të sezonit do të largohet nga Juventusi. Ky është përfundimi i takimit të sotëm mes drejtuesve të klubit bardhezi, - të pranishëm Nedved, Kerubini dhe Arrivabene, - dhe përfaqësuesve të argjentinasit, agjentit Horge Antun dhe Karlos Novel, personi i sponsorizimeve të Dibalës.

Takimi menjëherë dha idenë se nuk do të kishte fund pozitiv. Nga ana tjetër, premisat për ndarjen mes palëve janë vënë re prej muajsh. Asnjëherë palët nuk kanë qenë afër firmës për zgjatjen e kontratës.

Paulo Dibala. Gazeta Si, 21 mars 2022

Juventusi i ka ulur në mënyrë progresive shifrat për pagën e sulmuesit, të cilën e ka lidhur edhe me numrin e ndeshjeve. Një sinjal i fortë se dëmtimet e shpeshta kanë lënë shenjë në fazën e bisedimeve. Një qëndrim, që e ka bindur Dibalën se nuk konsiderohet më i rëndësishëm për projektin bardhezi.

Lidhja e krijuar që prej vitit 2015 është e destinuar të mbyllet pas tre muajsh. Një mbyllje që me siguri nuk do t’u pëlqejë tifozëve të ‘Joya’-s, të cilët e duartrokitën gjatë ndeshjes me Salernitanën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë