Gazeta Si – Është një derbi tashmë mes Interit dhe Milanit transferimi i sulmuesit Paulo Dibala. Zikaltrit mbeten në avantazh, por kushërinjtë e Milanit duan seriozisht t’ua rrëmbejnë argjentinasin.
Dukej gjithçka e mbyllur në fakt mes ish-lojtarit të Juventusit dhe Interit, por rikthimi i Lukakut e ka ndryshuar situatën. Tani Milani synon stërkëmbëshin e bujshëm.

Pas frenimit të Interit, sipas “Corriere della Sera”, nga Londra disa menaxherë të grupit ‘Elliott’ kanë pasur kontakte telefonike me njerëz të afërt të argjentinasit. Ata kanë dashur të njihen me kërkesat financiare të Paulo Dibalës.
Për momentin mbetet një sondazh, por ideja po bëhet gjithmonë e më konkrete te Milani. Dibala po pret Interin, sepse ka një pakt me Marotën, por nuk mund të presë pa fund. Aktualisht, nuk është e lehtë të thyhet ‘akulli’ i një tratative që ka ngrirë prej ditësh.
Ditët e ardhshme është parashikuar një takim tjetër mes Marotës dhe ndërmjetësit Fabricio De Veki, por nuk pritet të jetë takim përfundimtar. Interi do t’i kërkojë Dibalës të ketë ende durim dhe mbi të gjitha të ulë pretendimet financiare.
Milani ndërkohë ndjek situatën dhe qëndron vigjilent. Vlerësimi teknik nga ana e Paolo Maldinit dhe Frederik Masarës nuk vihet në diskutim. Por, duke parë politikat e kuqezinjve për pagat, marrëveshja mund të arrihet vetëm nëse argjentinasi është gati të ulë kërkesat ekonomike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.