Politike

“Patatet e nxehta” të kryeprokurorit të ri

Kryeprokurori Olsian Çela u ul në tryezën e liruar nga Arta Marku me sirtarët e mbushur plot me dosje aq të nxehta, sa publiku ua di edhe numrat: “Dosja 184” dhe “Dosja 339” etj
Dosja 184 ka të bëjë me dyshimet për shitblerjen e votave në zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës në 2016. Nga përgjimet e bëra publike nga gazeta gjermane “Bild” del edhe vetë Kryeministri Edi Rama dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri.
Pas këtyre publikimeve, Partia Demokratike akuzonte për një grup të strukturuar, ku qeveritarë dhe zyrtarë të shtetit bashkëpunonin me elementë kriminalë me qëllim blerjen e votave. Dosja po hetohej nga Prokuroria për Krimet e Rënda deri pak muaj më parë, kur kjo e fundit shpalli mos kompetencën për shkak se nuk gjeti elementë që të tregonin se blerja e votave ishte bërë në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal.
Për këtë arsye, dosja iu dorëzua Prokurorisë së Dibrës për të vijuar më tej hetimet. Partia Demokratike akuzoi drejtpërdrejtë Arta Markun dhe drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela, si vegla të Edi Ramës.

Kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm pas reformës në drejtësi janë të kufizuara, por sërish ligji i jep një rol të rëndësishëm organizativ, që nga e drejta për të kërkuar nisjen e hetimeve nga Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë për prokurorë, ose oficerë të Policisë Gjyqësore, deri tek administrimi i provave, përfshirë këtu edhe përgjimet.
Ndaj Olsian Çela do të ketë akses të plotë tek përgjimet në dosjet “184” dhe “339”, nëse kjo e fundit do të hetohet nga Prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe nuk transferohet tek Prokuroria e Posaçme dhe SPAK.

Vetë dosja “339”, të paktën publikisht shfaqet më komplekse. Nga përgjimet ka dalë një ndërthurje mes grupit të Avdylajve, dhe lidhjeve të pushtetit me këtë grup të dyshuar si grup i strukturuar kriminal me aktivitete të shumëfishta të paligjshme, përfshirë këtu edhe trafikun ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës për në vendet e Bashkimit Europian.
Por, sfida e parë dhe më kryesorja e Çelës që i duhet menjëherë t’i përkushtohet menjëherë pasi të ulet në “kolltukun” e kryeprokurorit është ajo e hetimit për shkatërrimet apokaliptike të tërmetit të 26 nëntorit. “Sot njerëzit kërkojnë drejtësi. Sot kërkohet që të bëhen gjëra konkrete. Në këtë fatkeqësi për vendin, njerëzit presin nga ne që të vihet drejtësi në vend. Jam i bindur që do të bëjmë një punë të mirë. Çdo gjë nuk shkon vaj, ndryshimet janë pozitive. Kam besimin që vendi është në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë”, deklaroi Çela, i bindur se kjo do të jetë sprova e parë e tij si kryeprokuror. A do të ketë vullnet Çela të hetojë dhe kërkojë ndëshkimin edhe drejtues vendore duke mbërritur deri te ish-kryebashkiakët apo kryebashkiakët aktualë?
Ndëshkimi i kryebashkiakëve të dalë me “njollë” nga Dekriminalizimi janë dosjet e lëna nga “shoqja e klasës” Arta Marku. Tre kryebashkiakë fitues të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit dolën me të shkuar të errët. Dy prej tyre janë në proces hetimi. Kryebashkiaku i Shkodrës, Valdrin Pjetri ishte i pari që u rrëzua nga dekriminalizimi dhe se çështja ndaj po vazhdon ende e kësaj dite.
Agim Kajmaku, kryebashkiak i Vorës është zhdukur pa humbur gjurmë, pas vendimit të dhënë nga KQZ-ja për humbjen e mandatit. Ndërsa kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Mark Babani është i akuzuar nga opozita për të shkuar kriminale, si i dënuar në Itali, e po vazhdon betejën me drejtësinë, pasi pretendon se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar.
Një sërë dosjesh për vrasjet e pazbardhura si në Durrës, Tiranë, Shkodër apo dhe Elbasan qëndrojnë prej kohësh në prokurori.
Një tjetër sfidë e kryeprokurorit lidhet edhe me atë çfarë prokuroria e Përgjithshme do të realizojë në raport me atë çfarë kërkohet pas realizimit të reformës në drejtësi, edhe pse ka ende prokurorë që nuk e kanë kaluar procesin e Vettingut.
Integriteti i prokurorëve dhe kthimi i besimit ndaj institucionit të Prokurorisë, i cili shpesh ka qenë nën goditjet e politikës për çështje të nxehta, siç ka qenë 21 janari apo Gërdeci, është sfida më e madhe e kryeprokurorit të ri. Vetë prokuroria prej 25 vitesh gjendet nën presionin e politikës, ku dhe në ditët e sotme, kryeministri po kërkon ta pastrojë sistemin e drejtësisë nga ajo e cilëson si grupi “Kap ça të kapësh”.
Integriteti i Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorëve të tjerë ka më tepër rëndësi, pasi Shqipëria pati në historinë e saj edhe kryeprokurorë që janë futur në listën e zezë si persona “non grata” nga SHBA, apo prokurorë të tjerë që udhëtojnë në një makinë me kriminelët dhe që vihen në shënjestër të ngjarjeve kriminale.
Çështja e atentati ndaj prokurorit Ndoja është ende e freskët dhe prokuroria duhet të jap një version për të. Aq e rëndë është kjo dosje sa nga faktet paraprake flitet për një mekanizëm mafioz që lidhet me mënyrën si aneksohen forcërisht pronat në bregdet.
Olsjan Çela u votua me 101 vota pro në Parlament dhe me një mandat shtatëvjeçar, si i “paprekshëm” nga sulmet e qeverive të cilat rivotohen çdo katër vjet. Tani pritet se nga do t’ia nis punës për të vënë drejtësi prokurori i parë i reformës në drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë