Moti

Pasditja sjell vranësira, diell dhe temperatura deri në 21 gradë në fundjavë

Si pasojë e qarkullimit të masave ajrore nga perëndimi dhe veriperëndimi i Europës, Shqipëria do të vijojë nën mbizotërimin e motit të kthjellët dhe të ngrohtë. Orët e pasdites do të sjellin vranësira të lehta e kalimtare nëpër të gjithë territorin, ku më të theksuara vranësirat do të jenë përgjatë shtrirjes Lindore, megjithatë nuk priten reshje.

Temperaturat e ajrit do të rriten si në vlerat minimale por do të mbeten konstante në vlerat maksimale duke u luhatur nga -1°C, temperatura më e ulët e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 18°C vlera maksimale e shënuar përgjatë vijës bregdetare.

Ndërkohë në fundjavë do ketë rritje temperaturash. Dita e shtunë do të sjellë rritje të temperaturave, duke bërë që vlerat minimale të regjistrohen në 0 gradë në qytetet e zonave malore ndërsa në orët e mesditës priten maksimume edhe në 21 gradë në Berat, Fier, Vlorë dhe Sarandë. Kushtet e motit do të jenë me diell gjatë mëngjeseve dhe mesditave në pothuajse gjithë territorin ndërsa pasditja dhe mbrëmja sjellin kalime të lehta vranësirash, të cilat nuk do të gjenerojnë reshje. Sa i përket të dielës, vijon rritja e temperaturave në orët e para të mëngjesit duke bërë që vlerat minimale në qytetet e zonave malore të ngjiten në 1 apo 2 gradë, në Ultësirën Perëndimore t’i kemi nga 5-10 gradë celcius. Në orët e mesditës temperaturat e ajrit do të mbeten të pandryshuara rreth vlerës 21 gradë. Deri në orët e mesditës do të kemi diell, pasditja dhe mbrëmja sjellin kalime vranësirash, të cilat më të dukshme do të jenë në zonat malore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë