Gazeta Si – Azgan Mërnica ka mbajtur qëndrim sfidues para prokurorëve pak orë pas dorëzimit të tij si autor i vrasjes së policit Novruz Cenalia në Fier.
Duke treguar momentin e përplasjes me efektivin Novruz Cenalia, 23-vjeçari ka thënë se gjithçka ka ndodhur për shkak të kalimit në rrugë dhe se në gjaknxehtësi e sipër ka nxjerrë pistoletë duke e vrarë.
Edhe pse ngjarja sipas tij ka qenë një konflikt i çastit, 23-vjeçari me origjinë nga Hasi thekson se nuk është penduar për krimin e rëndë.
“Nuk jam penduar që e vrava policin. Gjithçka ishte momentale, – ka thënë ai. – U konfliktuam, më shau e shava dhe unë. Nxori pistoletën i pari, e qëllova nga frika. Nuk jam penduar për krimin e kryer”.
Dëshmia
Në policinë e Fierit, duke pretenduar se ka qëlluar policin pasi ai ka menduar se do e vriste. Dëshmia e tij, duket se kërkon të shtyjë hetimet drejt një akuze tjetër siç është ajo e “vrasjes në kapërcim të kushteve për t’u vetëmbrojtur”.
Sipas Azgan Mërnicës, ai ishte duke ecur me makinë dhe së bashku me të ishte dhe nëna e tij. Mërnica ka thënë se drejtuesi i mjetit tip “Golf 4” me të cilin është shkëmbyer në rrugë, i ka bërë me dorë që të ndalojë.
Polici ka dalë nga makina dhe të njëjtën gjë ka bërë dhe Mernica. Sipas tij polici ka vënë dorën në pistoletë dhe më pas ai ka nxjerrë armën që e kishte me vete dhe ka qëlluar drejt tij për tu vetëmbrojtur.
“Isha duke ikur nga qyteti në fshat. Kisha marrë makinën e dajës. Do shkoja te daja dhe do lija nënën time aty. Isha me shpejtësi dhe i shkëmbeva me policin, i cili po shkonte nga fshati në qytet. Gati sa nuk u përplasa me të dhe ai më bëri me shenjë që të ndaloja. Zbritëm nga makina dhe bëmë llafe. Ai më tha ku shkon me këtë shpejtësi dhe më ofendoi. Kur ma bëri me dorë mua mu duk sikur më shau. Unë u nxeha. Në momentin që u kthye nga makina unë nxora pistoletën dhe e qëllova me një plumb pas koke”, ka thënë Mërnica para hetuesve.
Arratia
Sa i përket arratisë, ai ka thënë se gjatë 48 orëve që kërkohej nga policia ka lëvizur nëpër kanale duke u fshehur. Kishte dy ditë pa ngrënë dhe për këtë arsye shkoi tek shtëpia e dajës së tij. Aty më pas të afërmit e bindën të vetëdorëzohej, nga frika se mos vritej nga RENEA.
“Pastaj ika te daja dhe lashë makinën aty. Më pas u largova në këmbë në kanale. Kam lëvizur në këto kanale për 48 orë duke u fshehur. Po në hahej dhe bukë pasi kisha dy ditë pa ngrënë. Ika te shpia e dajës dhe këta kishin njoftuar policinë sepse kishin frikë se po më vriste RENEA. Pastaj më morën policët dhe më çuan në drejtori”, është shprehur më tej 23-vjeçari.
Mërnica ka pranuar në polici se nuk ka pasur asnjë konflikt me punonjësin e policisë, por gjithçka ka ndodhur në çast.
Mbrëmjen e djeshme 23 vjeçari Azgan Mernica është afruar në banesën e tij në fshatin Sulaj, ku nga pylli deri në banesën e tij ka ardhur me këmbë, ku dhe ka kërkuar që tek familjarët e tij të dorëzohej.
Ndërkohë që në momentin e dorëzimit siç duket dhe nga pamjet, ai ka pasur mundësi të ndërrohej në banesën e tij deri sa ka mbërritur policia, e cila e ka shoqëruar në komisariatin e Fierit.
Arma e krimit
Ai është pyetur dhe për armën gjë për te cilën është shprehur se nuk e mbante mend ku e kishte hedhur për shkak se ka qenë i lodhur.
Siç shikohet edhe nga pamjet, Azgan Mërnica, jo vetëm që nuk shfaq asnjë pendesë për krimin e kryer, por shikohet i qeshur teksa zë vend në automjet.
Pas këtij momenti, familjarët e kanë dorëzuar të riun pranë efektivëve të RENEA-s, të cilët i kanë dalë përpara mjetit me të cilin po shkonte të dorëzohej autori i vrasjes.
Tashmë, 23-vjeçari përballet me akuzat “vrasje të punonjësit të Policisë së Shtetit” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.