Ekonomi

Pas tërmetit, biznesi dhe konsumatorët mosbesues e pesimistë për ekonominë

Pas krizës post tërmet, bizneset duket se nuk e kanë marrë veten në aktivitetin e tyre prandaj, ata shprehen besimlëshuar ndaj ecurisë së biznesit të tyre dhe ekonomisë së vendit në tërësi. Po ashtu ndodh edhe me konsumatorët.

Banka e Shqipërisë në raportin e Vrojtimi të Besimit të Biznesit dhe të Konsumatorit për tremujorin e parë 2020, tregon se përpos sektorit të shërbimeve që ka pasur rritje në këtë drejtim, sektorët e tjerë të ekonomisë kanë shfaqur pesimizëm për ecurinë e ekonomisë.

Bizneset janë përballur me probleme të ndryshme që nga kapaciteti i prodhimit, probleme me kontratat, shfrytëzimin e të gjitha kapaciteteve në dispozicion, gjendjen financiare, punësimin, etj.

Banka sqaron se rezultatet e vrojtimeve të besimit për tremujorin e parë të vitit 2020 i takojnë anketimeve të kryera në periudhën 1 – 10 mars, para se pandemia COVID-19 të prekte Shqipërinë dhe qeveria të shpallte masat parandaluese ndaj përhapjes së saj. Për këtë arsye, argumenton Banka Qendrore, treguesit e besimit, e më në veçanti në sektorin e shërbimeve, nuk reflektojnë ndikimin negativ të koronavirusit në ekonomi.  

Sipas të dhënave të BSH-së, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) shënoi vlerën 103.3 gjatë tremujorit të parë të vitit 2020, duke qëndruar 8.5 pikë mbi nivelin e tremujorit të mëparshëm dhe 3.3 pikë mbi mesataren e tij afatgjatë. Rritja e nivelit të TNE-së i takon vetëm përmirësimit të besimit në sektorin e shërbimeve. Besimi në sektorin e tregtisë rezultoi pothuajse i njëjtë me një tremujor më parë, ndërkohë që besimi në sektorët e industrisë, ndërtimit dhe besimi konsumator, shënoi rënie.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) vijoi rënien gjatë tremujorit të parë. TBI-ja rezultoi rreth 3.1 pikë përqindje më poshtë krahasuar me tremujorin e mëparshëm, por vazhdon të mbetet mbi mesataren historike të saj.

Problematikat e këtij sektori janë të lidhura me rënien e prodhimit dhe në një masë më të vogël me rënien e kontratave porositëse. Kurse përsa i përket elemntit inventarë, ai ka ndikuar pozitivisht në amtjen e treguesit të besimit për këtë sektor. Kurse gjendja financiare dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve, shënuan gjithashtu rënie gjatë tremujorit të parë të 2020-ës. Kurse kontratat porositëse nga eksportet, pritjet për ecurinë e prodhimit dhe të punësimit në tremujorin e ardhshëm, rezultuan të përmirësuara.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) rezultoi 0.5 pikë përqindje më poshtë nivelit të shënuar tremujorin e mëparshëm, duke vijuar të mbetet nën mesataren historike të tij edhe në tremujorin e parë të vitit. Kjo tablo vjen për shkak të problematikave të lidhura me kontratat porositëse, kurse aktiviteti ndërtues, është përmirësuar. Rënie shënuan edhe gjendja financiare dhe punësimi..

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) shënoi rritje me 16.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë, pas rënies së fortë me 16.5 pikë përqindje në tremujorin e mëparëshëm duke e vendosur treguesin mbi mesataren historike të tij. Përmirësimi tregon rritjen e ecurisë së biznesit, kërkesën. Po ashtu në këtë sektor kanë shfaqur përmirësime si gjendja financiare, ashtu edhe punëismi e shfrytëzimi i kapaciteteve. Bizneset në këtë sektor rezulton të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë 1.3 pikë përqindje më të lartë se një tremujor më parë.

Por sektori i shërbimeve ka deklaruar përmes anketave se në tremujorin e ardhshëm kanë parashikuar me rënie pritjet për punësimin, ndryshe nga sektorët e tjerë që këtë zë e kishin parashikuar me rritje.

Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) gjatë tremujorit të parë qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel të tremujorit të mëparshëm (+0.3 pikë përqindje), por ndjeshëm nën mesataren historike të tij.

 Ajo që ka ndikuar në përkeqësimin e treguesit është ecuria e bizinesit, por që është kompensuar nga rritja e pritjeve për punësimin në tremujorin e ardhshëm. Kurse element të tjerë si gjendja financiare, pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve, shënuan rënie gjatë tremujorit që është marrë analizë.

Edhe konsumatorët pesimistë për ekonominë

Treguesi i besimit konsumator (TBK) ka vazhduar tendencën rënëse gjatë tremujorit të pare 2020. TBK-ja qëndroi 1.5 pikë përqindje poshtë nivelit të një tremujori më parë dhe 2.9 pikë përqindje nën mesataren historike të saj.

Konsumatorët shqiptarë janë shprehur të shqetësuar për ekonominë e vendit në tërësi për muajt në vijim, po ashtu janë pesimistë edhe për atë që presin në lidhje financat e tyre si me të ardhurat dhe shpenzimet. Kurse pritje për të investuar për blerje të mëdha, treguesi ka qendruar në të njëjtin nivel si tremujorin e mëparshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë