Kosova

Pas takimit me Osmanin, veteranët paralajmërojnë sërish protesta kundër ligjit për pagën minimale

Përfaqësuesit e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar protesta në ditët në vijim, për të kundërshtuar miratimin e Ligjit për pagën minimale.

Ata i kanë bërë këto deklarata pas takimit me presideten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Përmes një komunikate për media, Osmani ka thënë se ligjin do ta trajtojë me ekspertë ligjorë, sapo ta ketë në zyrë, dhe më pas “do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore”.

Ligji është miratuar në Kuvendin e Kosovës, në lexim të dytë, më 13 korrik.

Ligji parashikon rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht.

Mirëpo veteranët e UÇK-së janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në këto ndryshime.

Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata.

Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), ka thënë pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se përgjatë bisedës i kanë shprehur pakënaqësitë e tyre pse institucionet nuk janë konsultuar me veteranët për ndryshimet ligjore.

“Ne kemi thënë që do të dalim qoftë me pesë, qoftë me 10, qoftë, me 20 persona për t’i penguar seancat”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se ata nuk kanë asnjë kontakt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zyrën e tij.

Xhavit Jashari, që përfaqëson familjet e dëshmorëve, ka paralajmëruar se ndryshimet ligjore do të sfidohen edhe përmes rrugëve ligjore, andaj i ka bërë thirrje presidentes që të mos e nënshkruajë ligjin.

Takimi i tyre me presidenten vjen disa ditë pas një proteste që e kanë organizuar veteranët në qendër të Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se mbështet dhënien e sa më shumë përfitimeve për veteranët e luftës së fundit në Kosovë, por që përfitimet, sipas tij, nuk janë pagë.

“Paga është për punë, ndërkaq përfitimet janë mirënjohje e shoqërisë, e cila i jepet veteranit të luftës për luftën çlirimtare, fitimtare, e cila është në burim të shtetësisë, pavarësisë e lirisë sonë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë